Edhe një edicion i emisionit “Jeta” të Kohavisionit, vjen nga Manastiri, qyteti i alfabetit shqip.
Kësaj radhe ekipi kishte në fokus jetesën e përditshme të shqiptarëve në këtë qytet.
Manastiri, i cili prej shumë kohësh nuk figuron me këtë emër, por vetëm me Bitola, ishte kryeqendër shqiptare, e banuar me shumicë nga shqiptarët.
Sot, qyteti i Alfabetit shqip, i dyti më i madhi në Maqedoninë e Veriut, ka mbetur me krejt pak shqiptarë rezidentë, të cilët me vështirësi mund t’i hasësh nëpër qytet.
Pikë turistike e Manastirit është “Çarshia e Vjetër”.
Vite më parë në këtë çarshi ndodheshin mbi 100 dyqane të banorëve shqiptarë, por sot ato janë zëvendësuar thuajse plotësisht nga banorët maqedonas.
Tashmë në një pjesë të kësaj çarshie është vetëm një lokal ushqimi i një familjeje shqiptare.
Halime Izairi, një e re nga Manastiri e ka shoqëruar ekipin e emisionit “Jeta” nëpër pjesë të ndryshme qyteti.
Vizitë iu bë edhe shkollës “Goce Delcev”, ku vet ajo e kishte përfunduar shkollimin fillor.
Deri në vitin 1980 po këtu kishte qenë në funksion shkolla fillore “Nikola Tesla” me mësim në gjuhën shqipe e drejtori shqiptare.
Vizitë iu bë edhe Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Për dallim nga 1 vit më parë kur ky muze qëndronte i mbyllur e pa energji elektrike, kësaj here ishte i hapur dhe pranonte vizitorë.