Është fshat kufitar në Komunën e Podujevës. Fjala është për fshatin Shtedim, i cili gjendet në kufirin Kosovë – Serbi.
Shtedimi përreth ka fshatrat: Merdar, Miroc, Livadicë dhe Balloc.
“Për Shtedimin është shkruar krejt pak, për të mos thënë fare”, ishin fjalët e para të banorëve, të cilët i takoi ekipi i emisionit “Jeta” i Kohavisionit.
Dy banorët e lagjes Beshiri në fshatin Shtedim tregojnë se në afërsi të zonës kufitare të shënjuar me tabelë, ndodhet i ashtuquajturi “Guri i betejës së Merdarit”, i cili sipas tyre flet për luftën midis ushtrisë turke e asaj serbe.
Fshati Shtedim sipas dy vendësve ka mbetur thuajse i njëjti për kah numri i banorëve.
Aktualisht në fshat jetojnë rreth 1300 banorë, derisa vendësit theksojnë se ishte gjithnjë vendbanim i populluar vetëm me shqiptarë, me përjashtim të viteve të luftës kur pati serb e malazez.
Problematike jetesën në Shtedim për disa lagje banorësh, e bën mungesa me ujë të pijshëm, e cila i detyron ata të udhëtojnë në burime bjeshkësh për ta siguruar atë.