JETA

Familja që shndërroi mullirin mbi 100-vjeçar në vend për turistë

Edicioni më i ri i emisionit “Jeta” në KTV është realizuar në Drelaj të Rugovës.

Ekipi i emisionit ka takuar familjen Shala, e cila e ka ruajtur mullirin mbi 100-vjecar, duke e shndërruar në një hapësirë turistike.

Kryefamiljari Gani Shala thotë se prej vitesh tashmë qëndrojnë në bjeshkën e Drelajt gjatë gjithë verës, pasi që mirëpresin vizitorët vendorë e të huaj.

Sot kjo familje e ka restorantin dhe vilat malore, derisa dikur në po të njëjtin vend ndodhej mulliri, i cili kishte u kishte shërbyer njerëzve nga shumë treva shqiptare.

“Këtu kanë ardhur prej të gjitha vendeve me blu drithëra. Kanë ardhë prej Plavës, Gucisë, prej rrafshit të Dukagjinit. Me kuaj i kanë sjellë drithërat këtu, sepse nuk kanë pasur mjete tjera transporti”, rrëfen Gani Shala.

Të njëjtën pajisje të mullirit të vjetër, e shfrytëzon kjo familje edhe sot, për të marrë miellin, me të cilin i përgatisin ushqimet tradicionale.

Gjatë qëndrimit në Drelaj, çdo vizitor mund të hasë në disa shtëpiza malore të vendasve atje.

Më të veçantë akoma çdo cep të Drelajt e bëjnë burimet e ujit në këtë fshat të Rugovës, të cilat edhe mahnitin me pamjen që e ofrojnë.

Drelaj ndahet në dy pjesë.

Është Liqenati i staneve dhe ai i vendbanimeve të vendësve.

Gani Shala nga Drealaj i Rugovës, i kujton me nostalgji vitet e hershme që i kishte kaluar në këto anë, teksa vecon sfidat për mbijetesë në lartësitë e bjeshkës së fshatit.

“Mbijetesa ka qenë shumë e vështirë sidomos në dimër për ta siguruar ushqimin për vete e për kafshët. Nuk kishte rrugë, gjithcka kryhej me kuaj”, shprehej vendësi.

Dikur numri i banorëve ishte dukshëm më i madh, thoshte Shala, derisa sot lëvizjet janë krejt të pakta.