JETA

Banorët e Samadrexhës vendosin flamuj në lagjen e policit të vrarë Afrim Bunjaku

Për ditët e epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekipi i emisionit “JETA” ka udhëtuar drejt fshatit të policit të vrarë në veri, Afrim Bunjakut.

Në shtëpinë e të ndjerit ekipin e ka pritur familja e tij.

Qazim Bunjaku, djali i axhës së policit Bunjaku, ka kujtuar me mall figurën e tij, teksa ka përmendur se ishte njeri i dashur e shumë punëtorë.

“E donte shumë uniformën dhe vendin”, shprehet Bunjaku.

Bashkëvendësit për ta kujtuar heroizmin e tij, që në fillim të lagjes për te shtëpia e të ndjerit kanë vendosur flamuj kombëtarë e shtetërorë.

Vendndodhja e fshatit Samadrexhë është 10 kilometra në periferi të Vushtrrisë.

Zhvillimin më të madh vendësit e këtij fshati ia dedikuan sportit, fusha që e dallon në mes vendbanimesh tjera.

Atraksion i veçantë i fshatit është edhe mulliri 110-vjecar i Samadrexhës. Pronari Selim Basholli bashkë me familjen e tij e mban gjallë edhe sot punën në këtë mulli. Thotë se të rregullt në bluarjen prej këtij mulliri janë mërgimtarët.

“E duam jetesën në fshatin tonë, i kemi të gjitha kushtet që na duhen”, thotë thuajse secili banor që e takon në Samadrexhë, pasi sipas tyre nuk mungojnë kushtet për jetesë.

Ndryshe nga shumë vendbanime ku shkollat janë të mbyllura plotësisht, Samadrexhën e gjallëron zëri i nxënësve.

Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator nga paramilitarë serbë në Banjskë të Zveçanit, në një sulm të organizuar terrorist. Nga aksioni pasues i Policisë, u vranë tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër iku.