Fshati Kabash i Komunës së Prizrenit, ishte destinacioni i radhës i emisionit “JETA” të Kohavisionit.
Ekipi i emisionit e ka vizituar këtë vendbanim, i cili prej vitesh është shndërruar në fshat turistik.
Lartësia mbidetare e fshatit është mbi 1000 metra.
Pikërisht në këtë lartësi disa vendës kanë ndërtuar shtëpizat malore, ku i kalojnë vikendet.
Vite më parë banorët ishin shpërngulur në Korishë e në vende të tjera për jetesë, siç tregonin vendësit e Kabashit.
Teksa ekipi po e ngjiste rrugën drejt Kabashit, ndaloi fillimisht tek Kalaja e fshatit, lartësia e së cilës ofron pamjen e të gjitha fshatrave përreth.
“Është fiks vendi që i duhej një kalaje për vëzhgim”, thoshin vendësit.
“Kjo kala sipas burimeve arkeologjike daton 3000 mijë vjet para Krishtit dhe ka vazhduar funksionin deri në shekullin VII”, ka rrëfyer banori Rrahman Rexhaj.
Ngjitja më tej bjeshkës së fshatit ofron pamje të mrekullueshme.
Hasen shumë kroje uji e shtëpi të vjetra ku dikur kishin jetuar banorët.
Rexhaj flet edhe për lashtësinë që mendohet të ketë fshati i tij i lindjes.
“Kabashi ka një histori shumë të lashtë. Për herë të parë në burimet historike shkruhet në shekullin e V nga një historian grek. Ai ka shkruar se në kufirin midis Epirit dhe Maqedonisë ekziston një fshat me emrin Kabash që ka Kala dhe monumente historike”, ka thënë vendësi.
Atje kanë mbetur edhe rrënoja e shkollës së vetme të Kabashit, ku është vendosur edhe pllakata që shënon vendin e ekzistencës së saj.
Mësuesi i fundit që dha mësim në këtë shkollë, tregoi për funksionimin e saj dhe vullnetin e punës që kishte për t’i kontribuar vendit të lindjes përmes profesionit të tij.
Vendësit e Kabashit rrëfejnë edhe për gjashtë kishat ekzistuese në fshat, të cilat thonë se ishin shqiptare.
Banori Qamil Ukaj thotë se ishte pushtuesi serb në vitet e 90’ta përmes ngjyrosjes së tyre është përpjekur t’i kthente në kisha sllave.