Etrit Berisha është zyrtarizuar te skuadra e Hackenit në elitën e futbollit të Suedisë.
Lajmi është bërë i ditur të premten nga klubi suedez, një ditë pasi u raportua se portieri i parë i skuadrës, Andreas Linde, ka pësuar lëndim dhe pritet të mungojë për kohë të gjatë.
Berisha ka thënë se do të mundohet që ta jap më të mirën për klubin dhe të fitojë sa më shumë që mundet.
“E njoh Hackenin mirë, e ndjek ende Allsvenskan dhe Suedia është si shtëpi për mua. E di se Hackeni ka bërë hapa para vazhdimisht. Kjo më ka interesuar dhe për këtë kam ardhur, për ta ndihmuar klubin në sukseset e reja”, ka thënë Berisha për faqen zyrtare të klubit.
36-vjeçari ka karrierë të pasur, që nisi te 2 Korriku i Prishtinës.
Ai ka luajtur edhe për Kalmarin, Lazion, Atalantan, SPAL-in, Torinon e Empolin së fundmi.
Nga Empoli u largua në korrik të vitit të kaluar.
Berisha ka 163 paraqitje në Serie A, teksa i ka zhvilluar 80 ndeshje me Shqipërinë.
Me “kuqezinjtë” ishte dy herë pjesëmarrës në Kampionate Evropiane, në “Euro 2016” në Francë dhe në “Euro 2024” në Gjermani.