Futboll

Zyba i reagon trajnerit të Legias

Qëndrim Zyba

Qëndrim Zyba tash është pjesë e skuadrës elitare të Çekisë, Slovan Liberec, ai qëndroi shkurt te skuadra polake, Legia e Varshavës

Pas raportimeve se trajneri i Legia Varshavës, Gonçalo Feio, ka kërkuar informata nga Qëndrim Zyba për skuadrën e Dritës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-mesfushorit të skuadrës polake. 

Zyba në një postim të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, ka theksuar se kjo është lojë e deklaratave dhe presion para ndeshjes që Legia Varshava e luan ndaj Dritës. 

Legia Varshava dhe Drita të enjten nga ora 18:00 e luajnë ndeshjen e parë të plejofit për avancim në fazën grupore të Ligës së Konferencës. 

“Unë e kuptoj lojën deklarative dhe presionin që trajneri dëshiron ta vendosë mbi kundërshtarin, por më duhet të them për respekt të opinionit futbolldashës dhe të ekipit FC Drita, se asnjë informacion mbi formën e lojës ose diçka tjetër nuk kam ndarë me asnjë zyrtar të klubit Legia. Kam qenë dikur lojtar i asaj skuadre dhe ruaj respekt e konsideratë të lartë për Legian dhe gjithë anëtarët e saj, por tashmë gjithë preokupimi dhe përkushtimi im lidhet me skuadrën time të tanishme, Slovan Liberec. Reagimin po e bëj për ta sqaruar pozicionin tim, sado që e kuptueshme është lufta deklarative e trajnerit të Legias. Por, unë kam sqaruar mbi këtë keqkuptim të qëllimshëm destabilizues edhe te trajneri i tanishëm i FC Drita, Zekirija Ramadani, trajner me të cilin kam punuar dhe kam konsideratë të jashtëzakonshme për të. Në natyrën dhe edukatën time asnjëherë nuk do të pranoja që t’i bëj dëm skuadrave kosovare, sado që nga koha e kaluar ato ishin kundërshtare në fushë për mua dhe ekipin tim”, ka theksuar Zyba. 

Zyba ka thënë se ky reagim ka qenë i nevojshëm, ndërsa ka përfunduar duke thënë që suksesi i skuadrave të përcaktohet në fushën e blertë.