Mesfushori Qëndrim Zyba do të jetë pjesë e grumbullimit të Kosovës për dy ndeshjet e plejofit për Ligën B të Ligës së Kombeve kundër Islandës.
Federata e Futbollit e Kosovës, ka njoftuar se Zyba është ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda. Zyba ishte në listën rezervë të trajnerit gjerman.
“Detajet lidhur me këtë ftesë, por edhe për listën e futbollistëve dhe pritjet e tij nga ky grumbullim, Foda do t’i japë nesër në konferencën për media, e cila mbahet në orën 12:00, në hotel ‘Emerald’”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Zyba 24-vjeçar është pjesë e skuadrës çeke Slovan Liberec.
Ai të shtunën luajti nga minuta e 64-t në fitoren 1:0 ndaj Slavia Pragës. Zyba në 14 ndeshje ka shënuar një gol dhe ka asistuar një herë.