Futboll

Zyba debuton me asistim te Slovan Libereci

Qëndrim Zyba

Mesfushori i Kosovës, Qëndrim Zyba ka debutuar me asistim te skuadra elitare e Çekisë, Slovan Liberec.

Zyba asistoi pas shtatë minutash paraqitje në fushë. Ai u inkuadrua në minutën e 80-të, ndërsa asistoi për golin 3:1 të skuadrës së tij në minutën e 87-të.

Slovan Libereci e fitoi ndeshjen e parë të edicionit 2024/2025 të elitës së futbollit çek. Ndeshja u mbyll 3:1 në të mirë të ekipit të Zybës në ndeshjen ndaj Karvinës.

Zyba iu bashkua gjatë verës ekipit çek nga skuadra e Ballkanit.

Më herët ishte i huazuar te skuadra polake, Legia e Varshavës, ekip që nuk i dha shumë hapësirë për t’i treguar vlerat në fushën e futbollit. Zyba që iu bashkua ekipit çek për 500 mijë euro nga Ballkani, ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2027.