Futboll

Zvicra luan në arenën ku për herë të fundit fitoi para 17 vjetësh

Zvicra

Stadiumi “Letzigrund” lidhet me FC Zurichun. Por jashtë klubit, ky stadium nuk është shumë i populluar, të paktën në aspektin futbollistik.

Tribunat janë shumë larg, ndryshe nga stadiumet tradicionale të futbollit.

Edhe atmosfera nuk duket të jetë shumë e zjarrtë.

Hera e fundit kur Përfaqësuesja e Zvicrës luajti në Zurich ishte në stadiumin “Hardturm”, në vitin 2007. Pasi ky stadium u shkatërrua, ekipi nisi të luajë në “Letzigrund”, ka shkruar të premten mediumi “SRF”.

Sonte nga ora 20:45, Zvicra do të ballafaqohet me Serbinë në kuadër të Grupit A4.

Zvicra është e fundit në grup me një pikë, tri më pak se Serbia. Një rezultat tjetër negativ, do të bënte që Zvicra të zbriste në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Por asnjëherë nuk ka pasur rezultatet e kërkuara në këtë arenë.

Hera e vetme që Zvicra arriti të festonte në “Letzigrund” ishte më 13 tetor të vitit 2007.

Falë golave nga Marco Streller dhe Hakan Yakin, ekipi i drejtuar nga Kobi Kuhn e mposhti Austrinë, 3:1. Ishte fitorja e fundit e Zvicrës në Zurich.

Vetëm një muaj më vonë erdhi humbja e parë në “Letzigrund”. Zvicra u mposht 1:0 nga Nigeria. Por kjo nuk ishte asgjë në krahasim me atë që do të vinte më vonë.

Në ndeshjen e tretë nën drejtimin e selektorit Otmar Hitzfeld, Zvicra humbi 2:1 nga Luksemburgu. Ndeshja i kishte takuar kualifikimeve për Kupën e Botës.

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” e kishte vlerësuar këtë si “humbja e shekullit”.

U deshën të kalonin shtatë vjet për përfaqësuesen helvetike që të kthehej më pas në “Letzigrund”.

Megjithatë, nuk kishte ndeshje kualifikuese për ndonjë ngjarje të madhe.

Të tri ballafaqimet ishin ndeshje miqësore.

Kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2015 dhe kundër Kosovës në vitin 2022, Zvicra barazoi 1:1. Në mesin e këtyre dy ndeshjeve, në vitin 2016, Zvicra humbi 2:0 nga Bosnje-Hercegovina.