Klubi austriak, Blau-Weis Linz, ka konfirmuar të dielën se lojtari zviceran Silvan Wallner ka vendosur ta përfundojë karrierën në moshën 22-vjeçare. Wallner e mori këtë vendim për arsye personale, përkatësisht për faktin se nuk mund të luajë ditën e shtunë për shkak të besimit të tij.
Rrjedhimisht klubi nga Linzi është pajtuar për ndërprerje të parakohshme të kontratës. Detajet e shkëputjes së kontratës nuk janë bërë të ditura.
Wallneri, që deri vonë ishte pjesë e Zvicrës U21, është transferuar në klubin austriak në shtator nga Zurichu. Ai luajti pesë ndeshje për Blau-Weis Linz. Klubi i ka dëshiruar tashmë ish-futbollistit çdo të mirë në të ardhmen.
“Para së gjithash është e rëndësishme për mua të falënderoj përgjegjësit, stafin dhe gjithë ekipin në Blau-Weis Linz. Dua të falënderoj po ashtu të gjithë ata që më kanë shoqëruar dhe më kanë mbështetur në çështjet sportive deri më tani. Unë jam i krishterë i devotshëm dhe e lexoj Biblën. Vendimet për jetën time i marr vetë. Nuk jam ende anëtar i kishës. Dua të ndjek Jezu Krishtin dhe dita biblike e pushimit është bërë e rëndësishme për mua. Për mua si profesionist, kjo do të thotë se prej tani nuk dua të luaj futboll të shtunave. Është bindja ime personale që e kam fituar në ditët e fundit”, ka thënë Wallner në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit austriak.
Vendimi i tij ka bërë bujë në mediat austriake, zvicerane dhe të vendeve të tjera.
Drejtori sportiv i Linzit, Christoph Schosswendter, ka thënë se situata nuk është e lehtë për t’u menaxhuar.
“Gjatë karrierës sime relativisht të gjatë nuk kam hasur në një rast të tillë. Për mua si ish-lojtar kjo është vështirë të kuptohet. Por, në fund të fundit, ka dallim në atë që duhet të kuptosh dhe në atë që duhet të pranosh si vendim në klub”, ka thënë Schosswendter.
Mediat zvicerane kanë shkruar se Wallner është anëtar i “Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë”. Në këtë komunitet e shtuna është ditë pushimi, e rezervuar për afrim me Zotin. Puna dhe madje edhe loja e futbollit nuk lejohen në këtë ditë.
Wallner së fundi luajti më 26 tetor. Ai është zhvilluar si futbollist në Akademinë e Zurichut. Në këtë klub po ashtu kanë folur për rastin specifik.
Drejtori sportiv i Zurichut, Milosh Malenoviq, e njeh Wallnerin shumë mirë. Në një intervistë për “Blue Sport” ai ka thënë: “Jam befasuar që ai dëshiron t’i japë fund karrierës. Absolutisht nuk do ta prisja këtë nga një lojtar i tillë i ri. Ai gjithnjë më është dukur shumë stabil”.
Wallneri është djalosh shumë inteligjent dhe nga një familje e mirë, thotë Malenoviq.
“Nuk kemi vërejtur asgjë. Në fakt askush në Zurich nuk ka vërejtur asgjë. Nuk ishte asnjëherë çështje. Nuk kemi ditur asgjë. Mendoj se e ka komunikuar këtë për herë të parë tri javë më herët në klubin e tij austriak”, ka shtuar drejtuesi sportiv i Zurichut.
Ai pret shpjegime të mëtejme.
“Ka situata në jetë që dërgojnë në këtë. Është ndonjëherë e dyshimtë për mua, por më duhet ta respektoj këtë si gjithë të tjerët. Është rruga e tij dhe ai ishte shumë i guximshëm me vendimin. Ju mund ta shihni këtë si gjë pozitive, por mendoj se është edhe keq që është larguar”.
Malenoviq thotë se për të asgjë që është ekstreme nuk është e duhur. Ai nuk dëshiron të përfshihet në politikë apo religjion.
“Çdo gjë duhet të ketë limitet e veta. Futbolli luhet në fundjavë. Nëse nuk e dëshiron më dhe mendon se është rruga e duhur, atëherë duhet ta pranoni atë”.