Futboll

Zumberi i Feronikelit 74 figuron si lojtar i FC Badenit në sistemin TMS

Lavdim Zumberi

Lavdim Zumberi ka luajtur disa ndeshje për Feronikeli 74. Por Zumberi figuron ende si lojar i FC Badenit të Zvicrës në sistemin TMS të FIFA-s, platformë digjitale e krijuar për të menaxhuar dhe monitoruar transferimet ndërkombëtare të lojtarëve.

Se Zumberi figuron në TMS si lojtar i FC Badenit, e konfirmojnë edhe te Feronikeli 74. Por te klubi nga Drenasi thonë se gabimi teknik është bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Ballkani ka bërë ankesë në FFK për ndeshjen e javës së kaluar me ekipin nga Drenasi, që përfundoi baras.

Kërkon pikët e plota në tavolinë me arsyetimin se Zumberi nuk kishte të drejtë loje, pasi nuk është i regjistruar si lojtar i Feronikelit 74.

Ndeshja Ballkani – Feronikeli 74, që përfundoi 1:1, nuk është regjistruar nga Komisioni i Garave.

Zumberi më 18 tetor të vitit të kaluar u prezantua si lojtar i Feronikelit 74.

Ballkani është në vendin e dytë me 37 pikë, dhjetë më pak se liderja Drita, kurse Feronikeli 74 renditet i fundit me 11 pikë. Pikët mund të ndryshojnë, nëse aprovohet ankesa e Ballkanit.

KOHA ka kërkuar sqarim edhe nga FFK-ja.