Zvicra të dielën nga ora 20:45 do të përballet me Spanjën në ndeshjen e Ligës A4 të Ligës së Kombeve.
Por përballë kampiones në fuqi të Evropës, selektori Yakin do të jetë pa kapitenin Granit Xhaka që u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë në duelin ndaj Danimarkës.
Danimarka në Kopenhagë fitoi 2:0, ndërsa me të kuq te Zvicra ishte ndëshkuar edhe Nico Elvedi.
Yakini të shtunën në konferencën për shtyp ka thënë se mungesa e Xhakës do të jetë e madhe për ndeshjen që do të zhvillohet në Gjenevë, ku të pranishëm do të jenë rreth 27 mijë tifozë.
“Xhaka do të jetë me ne, pasi menjëherë bëri me dije se dëshiron të jetë në skuadër, por edhe në dhomat e zhveshjes për ndeshjen ndaj Spanjës. Kjo tregon madhështinë e tij”, ka thënë Yakini, ndërsa më pas foli për planin e lojës ndaj spanjollëve.
Kapiten në mungesë të Granit Xhakës do të jetë Manuel Akanji, për herë të parë, ndërsa Denis Zakaria do ta zërë vendin e mesfushorit të Leverkusenit.
“Loja jonë do të jetë e guximshme dhe për bazë do t’i marrim ndeshjet në Kampionatin Evropian. Do të luajmë në shtëpi, në stadiumin e mbushur plot. Do të luajmë futboll intensiv, jemi mësuar me këtë. Kjo kërkon shumë vrapim, duele, dhe për shkak të pasimeve të shumta të Spanjës, duhet të jemi të fokusuar”,
Në fund, Yakini është pyetur edhe nëse atmosfera në përfaqësuese është ndryshe pas pensionimit të Xherdan Shaqirit, Yann Sommerit dhe Fabian Scharit.
“Gjëja e mirë është se grupi po vazhdon punën e mirë. Gjithmonë ndodh kur lojtarët pensionohen pas turneve. Ne duhet ta pranojmë vendimin e tyre dhe t’u japim shans të tjerëve”, është shprehur ai.