Futboll

Yakini e përgëzon Jasharin, por nuk i jep premtime

Murat Yakin & Ardon Jashari

Murat Yakin & Ardon Jashari

Në prag të ndeshjes së Club Brugget në Ligën e Kampionëve ndaj Atalatas në plejof që luhet më 12 shkurt, përzgjedhësi i Zvicrës në futboll, Murat Yakin, e ka takuar Ardon Jasharin. Jashari në Zvicër vlerësohet me potencial të madh për të ardhmen. Po vlerësohet shumë edhe në Belgjikë te klubi i Club Brugget. Skuadrës belge iu bashkua në verën e vitit të kaluar për gjashtë milionë euro nga skuadra e Luzernit. “Blick” ka shkruar të shtunën se përzgjedhësi Yakin ka pasur takim prej 45 minutave me Jasharin. Dhe i ka treguar 22-vjeçarit që luan si mesfushor defensiv planet që i ka për të në muajt e ardhshëm.

“Takimi ishte shumë konstruktiv dhe shumë, shumë i sinqertë”, i ka thënë Yakini gazetës së madhe zvicerane.

Pas progresit të madh që e ka pasur Jashari, Yakini e sheh atë si “njeri i të ardhmes te Zvicra”.

Jashari në edicionin aktual i ka zhvilluar 32 ndeshje në të gjitha garat. Deri tani ka kontribuuar me dy gola të shënuar e katër asistime në total. Mënyra se si Jashari e sheh futbollin, i ka lënë përshtypje të mëdha Yakinit.

“Ai mund të ndërtojë shumë në këtë nivel. Me kalimin te Brugge, Ardoni ka bërë hapin e duhur. Besoj se një ditë do ta ketë rolin e liderit në përfaqësuese”, është shprehur Yakin.

Yakini, sipas “Blickut”, është i bindur se Jashari do të jetë te Zvicra për përgatitje për ndeshjet e muajit mars. Zvicra luan në udhëtim te Irlanda e Veriut më 21 mars, ndërsa e pret Luksemburgun më 25 mars. Më pas në muajin shtator e nis fazën kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Më 5 shtator e pret Kosovën, dhe më 18 nëntor, e mbyll këtë cikël kualifikues në “Fadil Vokrri” ndaj Kosovës. Në Grupin B kualifikues për Botërorin 2026 janë edhe Suedia e Sllovenia. Botërori organizohet vitin e ardhshëm në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Më pëlqen gjuha e trupit tek ai. Menjëherë mund ta ndjesh atë që e ka në mendje, ambiciet që i ka”, thotë Yakini.

Por, selektori i përfaqësueses helvetike nuk do të bëjë premtime të rreme për mesfushorin e talentuar.

“Duhet të kesh më shumë se dy apo tre ndeshje të mira për ta siguruar vendin në përfaqësuese. Vlerësimi është i rëndësishëm në rastin e tij. Ardoni duhet ta dijë se ka konkurrencë në qendër të mesfushës me Remo Freulerin, Granit Xhakën, Vincent Sierron dhe Denis Zakarian. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira në muajt e fundit. Ardoni e di se mund të llogaritë në mua”, ka deklaruar Yakini.

Sipas gazetës zvicerane, mesfusha e Zvicrës në të ardhmen mund t’i ketë kapitenin Granit Xhaka, Freulerin e Jasharin në formacionin titullar.