Futboll

Yakin flet për Xherdan Shaqirin

Xherdan Shaqiri

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Zvicrës në futboll, Murat Yakin, ka folur të enjten për kthimin e Xherdan Shaqirit në Basel. Ai ka theksuar se rikthimi i Shaqirit te Baseli, është fitore e madhe për futbollin zviceran. 

“Rikthimi i Xherdan Shaqirit është një fitore e madhe për futbollin zviceran. E keni parë tashmë në ndeshjen e tij të parë. Euforia në Basel është e madhe. Jam shumë i lumtur për qytetin dhe për të. Shpresoj që ai të jetë me shëndet të mirë”, ka thënë Yakin, i cili të enjten publikoi listën e lojtarëve për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Zvicra më 5 shtator luan me Danimarkën në Kopenhagë. Ndërsa më 8 shtator e pret Spanjën në Bernë.

Është kjo lista e parë pa Xherdan Shaqirin, Yann Sommerin e Fabian Scharin që vendosën të tërhiqen nga përfaqësuesja. Pos kapitenit Granit Xhaka, te Zvicra është ftuar edhe mesfushori Uran Bislimi.
Ai po ashtu ka theksuar se Zvicrës i duhet kohë për të zëvendësuar Shaqirin dhe lojtarët tjerë të pensionuar nga Zvicra. “Ne ende nuk mund të zëvendësojmë një Shaqiri apo Sommer”, është shprehur Yakin.


Yakin për Jasharin: U21 është vendi i duhur për të

Mesfushori Ardon Jashari ka mbetur jashtë listës së lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi i Zvicrës në futboll, Murat Yakin, për ndeshjet e edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Yakin ka arsyetuar vendimin e tij, duke theksuar se Jasharit i duhen më shumë minuta në fushë.

 “Dhe, ekipi U21 është vendi i duhur për të. Ai mund të mendoj se është kthim prapa, por kjo mund të jetë vetëm për të mirën e tij. Ai është lojtar i zgjuar, ndonjëherë mund të luaj edhe në krah, për shembull”, ka thënë Yakin në konferencë për media të enjten.