Me fitoren në fundjavën e kaluar në “Zahir Pajaziti” ndaj Llapit, Ballkani edhe zyrtarisht e siguroi titullin e tretë rresht në Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani në mesjavë triumfoi edhe në Kupën e Kosovës për herë të parë në histori, pas fitores në finale ndaj Prishtinës të cilën e la pa gara evropiane.
Triumfi i suharekasve në Kupë bëri që Malisheva nga vendi i katërt i kampionatit t’i sigurojë kualifikimet në Ligën e Konferencës, përkatësisht debutimin evropian. Trofetë u fituan nga Ballkani dhe suharekasit ndeshjen e fundit të edicionit e kanë festive.
Xhiroja e fundit e Superligës, përkatësisht e 36-ta, zhvillohet të shtunën nga ora 15:00. Ballkani e pret Prishtinën, ndërsa pas ndeshjes e pranon kupën e kampionit. Festë e madhe është paralajmëruar për të shtunën mbrëma në Suharekë.
Por jo të gjitha ndeshjet e së shtunës janë festive. Janë disa gara të hapura për xhiron e fundit. Në fakt gjasat që të ketë rezultate befasuese janë fare të vogla. Gjitha skuadrat që u duhen pikët, pritet të shënojnë fitore.
E hapur është gara për vendin e dytë dhe për shmangien e barazhit. Për vendin e dytë, pozitë që dërgon në kualifikimet e Ligës së Evropës, luftojnë Llapi e Drita. Llapi është i dyti me 68 pikë, kurse Drita e treta ka 66 pikë. Njëra nga to avancon në Ligën e Evropës, kurse tjetra i bashkohet Malishevës në Ligën e Konferencës. Ballkani luan në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Për shmangie të pozitës së tetë, përkatësisht pozitës së plejautit, luftojnë Gjilani dhe Feronikeli 74. Me 42 pikë Gjilani është në vendin e shtatë, kurse Feronikeli 74 renditet i teti me 41 pikë.
Sa u takon ndeshjeve të rëndësishme, Llapi luan në udhëtim te Liria, ndërsa Drita e pret Malishevën.
Gjilani në Klinë ballafaqohet me Dukagjinin. Në udhëtim ndaj Fushë Kosovës luan edhe Feronikeli 74. Skenari më i mundshëm është që fitore të shënojnë Llapi, Drita, Gjilani e Feronikeli 74. Dhe kështu renditja aktuale s’do të ndryshojë.
“Kemi përballë një ndeshje jashtëzakonisht të fuqishme të cilën shpresoj dhe uroj që gjatë këtyre ditëve ta kemi organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme siç edhe jemi fokusuar në gjithë javët e shkuara. Kemi përballë një skuadër që është shumë e fortë në fushën e vet e që është shumë e vështirë ta mposhtësh. Do të bëjmë të pamundurën pasi, tashmë dihet, i vetmi rezultat është fitorja. Do të jemi të gatshëm për ta zhvilluar këtë ndeshje dhe për të marrë maksimumin”, ka thënë të premten në konferencën për shtyp trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani.
Fitoren në xhiron e fundit e kërkon edhe Jakup Berisha, njëri prej lojtarëve më në formë te Feronikeli 74. Ai ballafaqimin me Fushë Kosovën e ka vlerësuar si finale.
“Është një ndeshje si finale. Duhet fituar patjetër. E dimë të gjithë rëndësinë e ballafaqimit dhe nuk na konvenon asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Do të hyjmë me të gjitha forcat për t’i marrë pikët e plota nga kjo ndeshje, pastaj çfarëdo që bëhet nuk varet nga ne. Urojmë që t’i shmangemi barazhit. Nëse nuk i ikim barazhit, na bëhen dy finale. E kemi patjetër vetëm fitoren dhe asgjë tjetër”, ka thënë Berisha për KOHËN të premten.
Ai është i vetëdijshëm se në rast se rezultati nga ndeshja Dukagjini – Gjilani nuk u shkon për shtati, do të luajnë në ndeshjen e barazhit që shpeshherë ka ditur të jap rezultate befasuese.
Në rast se skuadra nga Drenasi mbetet në pozitën e tetë, do të ballafaqohet me fituesin e barazhit të Ligës së Parë ndërmjet Dinamos dhe Prishtinës së Re, që luhet më 26 maj në “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
“Shpresojmë që nuk do të luajmë në barazh, por edhe nëse luajmë ne e dimë që kemi kualitet. Këtë e tregon edhe vetë liga. Besoj se nuk e kemi merituar të jemi këtu ku jemi. Cilësia nuk diskutohet po duhet patjetër te jepet maksimumi në atë ndeshje. Aty nuk hyn në punë vetëm cilësia por edhe angazhimi duhet të jetë maksimal”, theksoi Berisha.
Në xhiron e fundit do të përcaktohet edhe golashënuesi më i mirë i edicionit 2023/2024. Muhamet Hyseni dhe Drilon Hazrollaj kanë nga 24 gola. Hazrollaj i Malishevës në xhiron e kaluar i shënoi plot katër gola ndaj Lirisë. Në atë ndeshje thuajse u hapën portat duke u shënuar plot 11 gola. Se a do të hapen portat në xhiron e fundit, mbetet të shihet.
Nga Superliga të shtunën përshëndeten Fushë Kosova dhe Liria.
Superliga - 36
E shtunë (15:00)
Fushë Kosova – Feronikeli 74
Drita – Malisheva
Dukagjini – Gjilani
Liria – Llapi
Ballkani – Prishtina
