Futboll

Xherdan Shaqirit nuk i rrezikohet paraqitja në Evropian

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri ka qenë shpeshherë vendimtar gjatë fazave finale të turneve të mëdha me Zvicrën. Ai u lëndua fundjavën e kaluar në ndeshjen që Chicago Fire e humbi thellë 4:0 nga Salt Lake. Por frika se Shaqiri nuk do të mund të ishte i gatshëm për Evropian është hequr. Shaqiri ka pësuar lëndim në muskul. Ai u zëvendësua në minutën e 28-të dhe kjo ngjalli frikë. Por lëndimi i tij është konstatuar të mos jetë serioz. Më shumë frikë sesa dëm për yllin e Zvicrës.

“Këtë javë mjekët nga ekipi i Zvicrës ishin në kontakt me homologët e tyre në Çikago. Shaqiri thuhet se vuan nga një lëndim muskulor për shkak të goditjes. Por së shpejti do të luaj. Fundjavën e ardhshme ose pas kësaj jave më së voni”, shkruan gazeta zvicerane “20 Minuten”.

Gazeta e njohur zvicerane po ashtu shkruan se përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka kontaktuar direkt Shaqirin për të pyetur rreth gjendjes së tij.

“Vetë Murat Yakin ka kontaktuar Shaqirin për të parë gjendjen e lojtarit të tij. Trajneri do të jetë qetësuar nga frika. Lajm i mirë përpara Evropianit të kësaj vere, me Shaqirin që ende është i aftë të ndryshojë një ndeshje me një lëvizje të këmbës”, shkruan tutje “20 Minuten”.

Ai e dëshmoi këtë muajin e kaluar në Dublin, në miqësoren kundër Irlandës. Me golin e Shaqirit nga gjuajtja e lirë, Zvicra fitoi 1:0.

Shaqiri me Zvicrën ka marrë pjesë në katër kampionate botërore dhe dy kampionate evropiane. Ka shënuar në çdo kampionat të madh që nga viti 2014. Shaqiri ishte nënkampion i Evropës me Shpresat e Zvicrës në vitin 2011. Ai është lojtari i vetëm i përfaqësueses së Zvicrës që ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve. Championsin e fitoi me Bayernin dhe Liverpoolin. Me të dyja skuadrat e mëdha ka fituar edhe tituj kampioni dhe trofe të tjerë. 

Shaqiri, i cili luan për Chicago Fire, ka luajtur 121 ndeshje për helvetikët. Ka shënuar 30 gola. Ai është zëvendëskapiten. Kapiten është Granit Xhaka, që po ashtu është pjesë e rëndësishme e Zvicrës.
Nga tetori i vitit të kaluar, Xhaka është rekordmen për ndeshje të luajtura me Zvicrën. I ka 123 paraqitje dhe 14 gola.

Xhaka doli kampion bote në vitin 2009 me grupmoshën U17 dhe nënkampion i Evropës për grupmoshën U21 në vitin 2011. Së fundi udhëhoqi Bayer Leverkusenit drejt titullit të parë në histori të klubit. Trofe ka fituar edhe me Arsenalin. Fitoi dy Kupa FA me Arsenalin. Ka fituar dy tituj dhe një Kupë të Zvicrës me Baselin.