Futboll

Xhaka tregon vlerën e madhe të fitores në Frankfurt

Granit Xhaka

Bayer Leverkuseni kishte rrreth gjashtë vjet e gjysmë që nuk kishte shënuar fitore në stadiumin “SGE” në Frankfurt. Dhe të dielën pasdite mori një fitore që trajneri Xabi Alonso e quajti spektakolare.

Bayer Leverkuseni fitoi 5:1 ndaj Eintracht Frankfurtit në kuadër të xhiros së 32-të të Bundesligës. Me këtë rezultat të thellë kishte pësuar në Frankfurt në tetor të vitit 2022. Por gjërat kanë ndryshuar shumë te Leverkuseni prej atëherë.

Skuadra, ku lider i mesfushës është Granit Xhaka, tashmë është kampione e Gjermanisë, për herë të parë në histori. Dhe po ashtu është në seri prej 48 ndeshjeve pa humbje.

Xhaka hapi rrugën për fitoren e madhe me golin e bukur nga distanca të shënuar që në minutën e 12-të. Xhaka shënon rrallë, por gjithë golat e tij janë shumë të bukur. I tillë ishte edhe goli i së dielës në Frankfurt, në praninë e 58 mijë shikuesve.

Trajneri Alonso e përcolli ndeshjen nga tribuna. Për shkak të kartonëve të verdhë ishte i suspenduar. Por kjo nuk ndikoi shumë, të paktën në rezultat.

“Nuk kemi marrë asgjë këtu në pesë vjetët e fundit”, ka thënë Xhaka. Frankfurti kishte pesë fitore rresht ndaj Leverkusenit në “SGE”.

“Kemi dashur të mbesim të pamposhtur dhe e bëmë këtë sërish. Jemi shumë afër që të arrijmë diçka vërtet shumë të veçantë”, ka shtuar Xhaka.

Asnjë skuadër gjermane nuk e ka përfunduar edicionin në Bundesligë pa pësuar humbje. Leverkuseni i ka edhe dy ndeshje për ta bërë këtë.

Por fillimisht të enjten e ka gjysmëfinalen e dyta ndaj Romës në Ligën e Evropës. Pas fundit të edicionit në Bundesligë e ka edhe ndeshjen finale të Kupës së Gjermanisë. Pra pos që mund ta përfundojë kampionatin pa humbje, Leverkuseni mund të shtojë edhe dy trofe të mëdhenj në javët e ardhshme.

“E kemi ditur që secili duhet të marrë më shumë përgjegjësi në këtë ndeshje. Kemi nisur mirë dhe kemi pasur kontrollin e plotë”, ka theksuar Xhaka, duke folur për mungesën e Alonsos në stol. Xhaka ka lavdëruar edhe stafin tjetër të trajnerëve, ashtu si bëri edhe vet Alonso.

Në futbollin evropian 48 ndeshje rresht pa humbje i kishte vetëm edhe Benfica, plot 59 vjet më parë. Ky rekord i jashtëzakonshëm mund të thyhet të enjten në ndeshje me Romën. Sa u takon top-pesë ligave evropiane, Leverkuseni tashmë ka vendosur rekord.

Në Bundesligë, Leverkusenin e presin ndeshjet me Bochumin dhe Augsburgun. Xhaka me bashkëlojtarë janë të përkushtuar të mos mposhten edhe në ato dy ndeshje.