Futboll

Xhaka pensionohet në fund të edicionit

Taulant Xhaka - FC Basel

Taulant Xhaka do t’i japë fund karrierës si futbollist aktiv pas 13 sezoneve të luajtura, 10 trofeve të fituar e mbi 400 ndeshjeve të zhvilluara me fanellën “kuqeblu” të Baselit. 

Kështu ka njoftuar futbollisti 33-vjeçar për faqen zyrtare të Baselit, të mërkurën. 

Taulant Xhaka, vëllai i madh i Granit Xhakës, liderit të Bayer Leverkusenit, iu bashkua të rinjve të Baselit në vitin 2003, në moshën 12-vjeçare. 

Ai debutoi me ekipin e seniorëve në vitin 2010, ndërsa fanellën e Baselit e mbajti veshur thuajse në tërë karrierën e tij. 

Për një vit e gjysmë karrierë ka bërë si i huazuar te Grasshopperi. 

Me Grasshopperin e ka fituar Kupën e Zvicrës, ndërsa tri herë të tjera e fitoi me Baselin. 

Me skuadrën e madhe, Taulant Xhaka e fitoi kampionatin gjashtë herë. 

Në total ka zhvilluar 406 ndeshje për Baselin. Ka kontribuuar me nëntë gola të realizuar e 30 asistime.

Me Grasshopperin i pati 43 paraqitje e një asistim. 

Në nivel përfaqësuesesh, Taulant Xhaka luajti për grupmoshat e Zvicrës nga U17 deri në U21, për t’iu bashkuar më pas Shqipërisë A. 

Me “kuqezinjtë” ka zhvilluar 30 ndeshje dhe e pati një gol të realizuar. 

Në javët e fundit, 33-vjeçari ka biseduar me drejtuesit e klubit të Baselit dhe ka kërkuar shkëputjen e kontratës në fund të edicionit. Kontrata e tij përfundonte në verën e vitit 2027. 

“Gjithçka që kam përjetuar me këtë klub deri tani ka qenë si ëndërr. Kam mundur të përjetoja kaq shumë momente të mrekullueshme. Kam pasur shumë bashkëlojtarë të mëdhenj dhe kam qenë në gjendje të luaja ndaj futbollistëve më të mirë në botë. Ka qenë e rëndësishme për mua që të vendos vetë se kur do të ndalem së luajturi futboll dhe besoj se vera është momenti i duhur. Do të jem 34-vjeçar në fund të muajit mars dhe çfarë do të ishte më mirë se të pensionohem në këtë moshë, që përkon edhe me numrin që e mbaj në fanellë prej vegjëlisë. Është e rëndësishme për mua të jap më të mirën deri në verë dhe ta përkrah ekipin brenda dhe jashtë fushës. Baseli është në rrugën e suksesit dhe duam të qëndrojmë kështu. Do të jap gjithçka deri në fund”, ka deklaruar Xhaka. 

Fjalë të mëdha për Taulant Xhakën ka thënë edhe drejtori sportiv i Baselit, Daniel Stucki. 

Ai ka theksuar se Taulant Xhaka ka përfaqësuar ngjyrat “kuqeblu” si askush tjetër. 

Xhaka ndeshjen e fundit me Baselin e ka luajtur më 14 dhjetor të vitit të kaluar në fitoren 1:0 ndaj Grasshopperit. 

Sipas drejtorit sportiv të klubit, ai asnjëherë nuk është ankuar sa i përket kësaj çështjeje. 

“Fakti që ai vazhdon ta japë më të mirën në secilën stërvitje, ndonëse nuk ka luajtur shumë së fundmi dhe i gëzohet shumë çdo fitoreje, pavarësisht a luan apo jo, tregon qartë se ai është i lidhur me klubin dhe suksesin sportiv. Kemi pasur biseda të mira në javët e fundit dhe e kam parë se ai dëshiron të ndalet në këtë verë. Taulanti është lojtar ekipor, e përkrah skuadrën e sidomos të rinjtë, pasi e di se çfarë sakrifice duhet për të qenë i suksesshëm. E kam respektuar vendimin për pensionimin e tij në verë, në kohën kur klubi është kthyer në këmbët e veta”, ka deklaruar Stucki. 

Në fund të njoftimit Baseli e ka falënderuar për gjithë kontributin e dhënë për klubin. 

“Duam të falënderojmë për besnikërinë ndaj klubit, përkushtimin e palodhshëm për këto ngjyra dhe mentalitetin fitues brenda dhe jashtë fushës, i dashuri Tauli”, ka shkruar Baseli.