Futboll

Xhaka kthen vëmendjen te dueli i vështirë me Dortmundin

Leverkusen

Bayer Leverkuseni është në fazën e përgatitjeve për pjesën e dytë të edicionit në Bundesligë.

Leverkuseni të dielën e fitoi ndeshjen e parë miqësore të këtij viti. E mposhti 2:0 skuadrën e kategorisë së katërt të futbollit gjerman, Rot-Weiss Oberhausen.

Trajneri Xabi Alonso nuk luajti me formacionin titullar.

Më të mirët u inkuadruan në pjesën e dytë kur edhe u shënuan të dy golat e fitores.

Në mesin e atyre që u aktivizuan në pjesën e dytë ishte edhe Granit Xhaka, organizatori i lojës së Leverkusenit, kampionit në fuqi të Gjermanisë.

Në minutën e 47-të nga penalltia shënoi Florian Wirtz, ndërsa në minutën e 58-të, shifrat i dyfishoi Patrik Schick.

Leverkuseni nuk e nisi mirë edicionin, por ka gjetur formën në ndeshjet e fundit.

Për herë të fundit është mposhtur nga Liverpooli në fazën e ligës në Ligën e Kampionëve, më 5 nëntor.

Më pas ka rreshtuar rezultatet pozitive.

Barazoi me Bochumin në Bundesligë dhe i fitoi tetë ndeshje të njëpasnjëshme në të gjitha garat.

Në këtë seri pozitive, e eliminoi edhe Bayern Munichun nga Kupa e Gjermanisë.

Rezultatet e mira kanë bërë që Leverkuseni tani të jetë në vendin e dytë në Bundesligë me 32 pikë nga 15 ndeshje. Ka vetëm katër pikë më pak se Bayerni.

“Duhet të them sërish se secila ndeshje është shumë e rëndësishme, pavarësisht a është ajo miqësore. Ne duhet t’i bëjmë gjërat të cilat na takojnë, të luajmë seriozisht dhe të mos e nënçmojmë asnjë skuadër. Sot kishim miqësore pas disa ditëve pushim, dhe po, jemi të vetëdijshëm se duhet të përmirësohemi çdo ditë dhe gjërat e mira do të vijnë më pas”, ka deklaruar Granit Xhaka të dielën pas miqësores.

Test dukshëm më të vështirë, Leverkusenin e pret menjëherë kur vazhdon kampionati.

Më 10 janar, Leverkuseni luan në stadiumin e zjarrtë “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Dortmundi ka mbetur prapa në garën për titull, por gjithnjë është prej skuadrave më të forta në Bundesligë.

“Verdhezinjtë” aktualisht janë në vendin e gjashtë me 25 pikë, aq sa ka edhe Mainzi në vendin e pestë.

Xhaka e di mirë se për të marrë rezultat pozitiv nga ai ballafaqim, u duhet punë e madhe.

“Është pritur më shumë nga Dortmundi. Edhe unë kam mbetur i befasuar me pozitën në të cilën është për momentin. Nuk jam fans i tabelës sepse gjëja kryesore është të shohim se si ata luajnë futboll. Ata e kanë filozofinë e vet të lojës dhe Dortmundi është Dortmund, me shumë lojtarë të mirë. Ka trajner të mirë, por ne duhet të përgatitemi sa më mirë për atë ballafaqim”, është shprehur Xhaka.

Xhaka ka lënë prapa një vit të suksesshëm.

E fitoi titullin në Bundesligë pa asnjë humbje, ndërsa ishte vendimtar edhe në triumfin në Kupën e Gjermanisë.

Leverkuseni e fitoi edhe Superkupën e Gjermanisë, ndërsa Xhaka ishte i nominuar për “Topin e Artë”.

Në 25 paraqitjet e edicionit aktual në të gjitha garat, Xhaka i ka dy gola të realizuar dhe ka kontribuuar me pesë asistime.