Klubi i njohur zviceran i futbollit, Basel, së fundi ka larguar disa prej lojtarëve veteranë. Në Zvicër është bërë pyetja nëse Taulant Xhaka do të jetë lojtari i radhës që do të largohet.
Xhaka, që është shumë i pëlqyer nga tifozët e Baselit, po luan pak këtë edicion. Është paraqitur në pesë prej tetë ndeshjeve të deritashme, por në fushë i ka kaluar vetëm 120 minuta.
Për Taulant Xhakën është pyetur drejtori sportiv i Baselit, Daniel Stucki.
“Ne kemi raporte të mira. Për mua nuk është me rëndësi që të gjithë lojtarët me përvojë të luajnë. Ata duhet të kenë ndikim në ekip. Taulanti, njëjti si Shaqiri, është vetëm 32-vjeçar dhe ende ka shans për të luajtur”, ka thënë Stucki, shkruan 20 Minuten.
Ai ka theksuar se te Baseli nuk dëshirojnë të heqin dorë nga të gjithë lojtarët me përvojë.
“Taulanti ka ndikim të madh në ekip edhe kur nuk është në fushë. Ai është lojtar meritor që është i rëndësishëm për Baselin”, ka shtuar drejtori sportiv i Baselit.