Futboll

Xhaka i dëshpëruar me barazimin dhe referimin

Granit Xhaka

Bundesliga tha se dueli i së premtes mes Bayer Leverkusenit dhe Stuttgartit do të jetë “spektakël i garantuar”. Por nuk u shënuan gola në ndeshjen me intensitet të lartë.

Bayer Leverkuseni u ndal nga shtyllat apo portieri i Stuttgartit, Alexander Nubel.

Nga të gjithë në fushë, më i dëshpëruari ishte Granit Xhaka. Xhaka shprehu haptazi hidhërimin që e kishte edhe me gjyqtarët e ndeshjes.

“Jemi të dëshpëruar. Ishte paraqitja më e mirë e sezonit. Me topin në këmbë e pa top poashtu, kemi qenë shumë aktiv dhe kemi krijuar shumë shanse”, ka thënë Xhaka për transmetuesin “DAZN” pas ndeshjes.

Nuk ishte vetëm barazimi i dytë i Leverkusenit që ngriti diskutime. Diskutime pati edhe për kartonin e verdhë të Granit Xhakës. Pak pas pjesës së parë, sulmuesi, sulmuesi i Leverkusenit, Victor Boniface, ka mundur të dalë i vetëm me portierin, por u tërhoq nga Atakan Karazor. Në vend se atij t’i jepej karton i kuq, gjyqtari kryesor e ktheu vendimin në të mirë të Stuttgartit, ka shkruar gazeta gjermane “Blick” të shtunën. Në atë skenë shihet edhe Florian Wirtzi dhe Maximilian Mittelstadt që pengojnë njëri-tjetrin. Mittelstadt u rrëzua, dhe për këtë arsye gjyqtari kryesor, Daniel Siebert, vendosi që faulli të jetë në të mirë të Stuttgartit.

Xhaka nuk ishte i kënaqur me gjyqtarin. E kapi atë për krahu dhe më pas protestoi njësoj si gjithë bashkëlojtarët e tjerë. Kjo kapje me dorë e Xhakës ndaj gjyqtarit, ka bërë që gazeta gjermane “Bild” të pyes nëse është për karton të kuq. Por mesfushori dhe kapiteni i Zvicrës, u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.

Pas ndeshjes, Xhaka ishte i dëshpëruar me vendimin e gjyqtarit.

“Ku duhej të shkonte Florian Wirtz? Është për të ardhur keq. Ishte vendim 50 me 50 nga gjyqtari, dhe ai vendosi kundër nesh. Është turp sepse do të kishim mundësi shumë të mirë për fitore”, thotë Xhaka.

Nuk është hera e parë që Xhaka ka qenë i zëshëm me Siebertin. Ai ishte gjyqtar kryesor edhe në ndeshjen që Zvicra e humbi nga Danimarka në muajin shtator.

Xhaka edhe në atë ballafaqim kishte shprehur pakënaqësi ndaj tij, pasi Nico Elvedit i ishte dhënë karton i kuq menjëherë pas pushimit. Kah fundi i ndeshjes ishte përjashtuar nga loja edhe Xhaka. 

“Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. Skandal shumë i madh”, kishte thënë Xhaka pas asaj ndeshjeje.

Dhe në fakt, Xhaka ka pasur të drejtë për duelin e së premtes. Vetë gjyqtari Siebert e ka pranuar gabimin.

“Vendimi për faull ishte pak i vonshëm. Në fakt, unë sinjalizova për faullin e Karazorit ndaj Bonifaces. E kuptoj reagimin e futbollistëve”, ka pranuar Siebert.

Leverkuseni ishte kampion në edicionin e kaluar në Bundesligë, madje pa e pësuar asnjë disfatë. E fitoi edhe Kupën e Gjermanisë, ndërsa u mposht në finale të Ligës së Evropës.

Por edicionin aktual nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë. Tani ka mbetur prapa në garën për titull.

Ka 16 pikë pas nëntë ndeshjeve.