Granit Xhaka është rekordmen, lider dhe kapiten i përfaqësueses së Zvicrës në futboll. Por është edhe i pazëvendësueshëm momentalisht. Kjo u bë e qartë të dielën mbrëma në Gjenevë. Pa Xhakën në fushë, Zvicra humbi thellë, 4:1, nga Spanja, ndonëse ishte me një lojtar më shumë në fushë nga minuta e 20-të.
Zvicra kishte një lojtar më shumë, por nuk e kishte Xhakën. Dhe kjo ishte e papërballueshme për helvetikët.
“Ylli i Leverkusenit vendos ritmin për ne, e qetëson lojën dhe e shpejton atë, shpërndan topin dhe zakonisht është edhe në dispozicion për ta pranuar atë. Sa më i fortë që është kundërshtari aq më i rëndësishëm është Xhaka. Të folurit dhe dhënia e instruksioneve janë të tjera aftësi të rëndësishme të Xhakës. Është mëkat që edhe në moshën 31-vjeçare ai herë pas here bëhet emocional, si në Danimarkë, ku u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Denis Zakaria nuk mund ta zëvendësojë atë. Asnjë lojtar i Zvicrës nuk mund ta bëjë këtë për momentin”, shkruan në një koment të sajtit të njohur zviceran, “bluewin”.
Xhaka u përjashtua në humbjen 2:0 të Zvicrës nga Danimarka. Është pritur që mungesa e tij do të vërehet. Por askush nuk ka pritur humbje 4:1 nga Spanja, sidomos me një lojtar më shumë në fushë.
Edhe selektori Murat Yakin ka folur për mungesën e Xhakës. Natyrisht Yakini e di se Zvicra nuk është e njëjtë me Xhakën dhe pa të.
“Është vërejtur që Graniti ka munguar në fushë sot. Dan Ndoye po ashtu”, ka thënë Yakin pas ndeshjes.
Sidomos kapiteni ishte temë pas humbjes së rëndë të Zvicrës nga Spanja, kampionia evropiane.
“Graniti gjithnjë gjen zgjidhje dhe po ashtu siguron që ekipi kundërshtar të mos ketë shansin të luajë. Në ndeshje si kjo, kur ke një lojtar më shumë në fushë, mungesa e Graniti është vërtet e madhe”, ka thënë Yakin.
Xhaka humbi qetësinë në fund të ndeshjes me danezët dhe mori kartonin e dytë të verdhë për ndërhyrje të ashpër. Ai kritikoi arbitrat e sidomos lojtarët e Danimarkës për mungesë korrektësie. Kërkoi falje më pas për përjashtimin dhe humbjen e qetësisë.
Ndeshjen e ardhshme Zvicra e luan më 12 tetor. Do të përballet me Serbinë në Leskovc. Xhaka pritet të udhëheqë helvetikët në atë takim. Ai tashmë është paraqitur në territorin e Serbisë – ndaj Bjellorusisë në Novi-Sad. Në atë ndeshje shkëlqeu. Shumë presin që të shkëlqejë edhe pas një muaji.