Futboll

Xhaka: Babai kurrë nuk më ka lavdëruar

Granit Xhaka

Granit Xhaka është njëri prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit në Zvicër. Kapiteni i Zvicrës ka marrë shumë lëvdata përgjatë karrierës, por asnjëherë nga babai i tij. 

Kështu ka deklaruar Xhaka në një intervistë dhënë mediumit gjerman “Bild” të mërkurën. 

“Ai është kritiku im më i madh. Babai asnjëherë nuk më ka lavdëruar si futbollist”, ka deklaruar Xhaka, i cili ka shtuar se do të dëshironte që një ditë babai t’i thoshte se ke luajtur jashtëzakonisht mirë. 

Ai thotë se çdo ndeshje që përfundon, e analizon në detaje në shtëpi. 

“E shikoj çdo ndeshje që përfundon dhe e shikoj me qetësi. Shoh çdo gjë dhe e kuptoj se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur”. 

Mesfushori Xhaka në vitin e kaluar arriti sukses historik me Bayer Leverkusenin duke e fituar titullin në Bundesligë pa asnjë humbje të vetme, ndërsa triumfoi edhe në Kupën e Gjermanisë. 

Këtë edicion Leverkuseni ka mbetur gjashtë pikë prapa Bayern Munichut në garën për titull kampioni. 

Ndërkohë është eliminuar nga gara për Kupën gjermane. Pësoi 2:1 nga skuadra e kategorisë së tretë e futbollit gjerman, Arminia Belefeld. 

Mesfushori lider i Leverkusenit, 32-vjeçari Xhaka, është baba i tri vajzave. Thotë se ato e kanë ndryshuar për të mirë. 

“Jam ende i njëjti djalosh që kam ardhur në Bundesligë si 19-vjeçar. Jam ende emocional, njësoj si në kohën kur isha te Monchengladbachu”, është shprehur Xhaka. 
Xhaka dhe Leverkuseni ndeshjen e radhës në Bundesligë e luajnë në udhëtim te St. Pauli, të shtunën.