Xavi Hernandez do të mbetet në krye të klubit deri kur i skadon kontrata, në qershor të vitit 2025. Ai ndryshoi mendjen pasi në janar të këtij viti kishte thënë se ky do të ishte edicioni i fundit si trajner i Barcelonës.
44-vjeçari vendosi për të kundërtën, pas takimit që e pati me presidentin e klubit, Joan Laporta. “E di se kemi dhënë disa deklarata në mes të edicionit, por kemi lajm të mirë dhe Xavi do të qëndrojë me ne. Ai më ka bindur me entuziazmin dhe besimin që e ka në projektin e tij”, ka thënë Laporta.
Xavi e mori drejtimin e Barcelonës në nëntor të vitit 2021, pasi u largua nga Al Sadd i Katarit.
E fitoi La Ligan me Barcelonën, në edicionin e tij të parë në krye të klubit.
Por, në sezonin aktual, Xavi ka 11 pikë më pak se Real Madridi, kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund të garës.
Barcelona u eliminua edhe nga Liga e Kampionëve pasi u mposht nga Paris Saint-Germaini.
Xavi si futbollist i Barcelonës ka fituar 25 trofe madhor.