Trajneri i shkarkuar i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka theksuar se po largohet nga klubi i dëshpëruar dhe me ndjenjën që puna e tij nuk është vlerësuar sa duhet. Fitorja 2:1 ndaj Sevillas të dielën mbrëma u arrit në ndeshjen e fundit të Xavit në krye të Barçës.
Xavi, 44-vjeçar, iu bashkua Barcelonës me kontratë trevjeçare kur Ronald Koeman u largua në vitin 2021. Ai udhëoqi gjigantin katalonjas drejt titullit të 27-të në edicionin e kaluar. Nën drejtimin e Xavit, Barcelona i kishte 90 fitore, 23 barazime dhe 29 humbje. Por, të premten u bë publik vendimi i klubit për ta shkarkuar atë, një vit para se t’i përfundonte kontrata.
“Kam ndjenjën që çdo gjë që kam bërë gjatë këtyre dy vjet e gjysmë ka shkaktuar tërmet. Jam shënjestruar shumë herë, në shumë situata”, ka thënë Xavi.
“Mendoj se puna nuk është vlerësuar sa duhet. Këtë vit nuk kemi qenë në lartësinë e duhur për shkak të detajeve. Kemi pasur katër ndeshje vendimtare në të cilat nuk kemi mundur të përfundonim punën e mirë që kishim bërë”, ka shtuar Xavi.
Barcelona përfundoi dhjetë pikë prapa Real Madridit në La Liga. Humbi nga Reali në finale të Superkupës së Spanjës, u eliminua nga Athletic Bilbao në çerekfinale të Kupës së Mbretit dhe në të njëjtën fazë të Championsit nga PSG-ja.
Xavi kishte vendosur në janar që të largohej nga Barcelona në fund të edicionit. Por, tërhoqi vendimin në prill pas bisedimeve me presidentin Joan Laporta. Ndërkohë Laporta ndërroi qëndrimin dhe e shkarkoi ikonën e klubit.
“Nuk më takon mua të flas për arsyet apo motivet. Mendoj se i takon presidentit. Nuk kam zgjedhje pos të pranoj vendimin. Nuk ka rëndësi nëse pajtohem me faktet. Nuk po largohem me ndjenjë të lehtësmit pasi kemi dashur të vazhdonim. Janë vendime që i merr klubi. Ne e kuptuam vendimin dhe e pranuam atë, por menduam se nuk kishte mbaruar”, ka pranuar Xavi.
Xavi nuk është pajtuar me largim, por pranon se klubi është më i madh. Ka tërhequr vërejtjen se trajnerin e ri nuk e pret punë e lehtë.
“Ai duhet ta dijë se ka një situatë të vështirë. Barça është klub sfidues, por po ashtu është në një situatë të pafavorshme ekonomike. Nuk do të jetë detyrë e lehtë”.
Pikërisht deklaratat për telashet financiare të klubit besohet se sollën ftohjen e raporteve të Xavit me presidentin Laporta. Nuk vonoi shumë pas deklaratës së Xavit dhe klubi njoftoi për largimin e tij në fund të edicionit.