Futboll

Vojvoda me Comon e sigurojnë mbijetesën

Vojvoda

Reprezentuesi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, me Comon edhe zyrtarisht e kanë siguruar mbijetesën në Serie A, katër xhiro para përfundimit të kampionatit.

Skuadrës së Comos i ka mjaftuar goli i Gabriel Strefezzas që ta mposhtë Genoan.

Como të dielën fitoi 1:0 ndaj Genoas në shtëpi në ndeshjen që i takoi javës së 34-t të elitës së futbollit italian.

Golin e fitores për vendësit e realizoi mesfushori brazilian, Strefezza, në minutën e 59-të.

Për skuadrën e Cesc Fabregasit ishte fitorja e katërt rresht.

Vojvoda te Como e kompletoi ndeshjen.

30-vjeçari Vojvoda te Como u transferua në afatin kalimtar të janarit nga Torino për dy milionë euro. Deri më tani ka shtatë paraqitje dhe ka kontribuar me një gol dhe dy asistime.