Futboll

Vlerësime në superlativ për Shaqirin nga të mëdhenjtë e futbollit të Zvicrës

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri

Foto: Associated Press

Xherdan Shaqiri të hënën njoftoi për tërheqje nga përfaqësuesja e Zvicrës. Shaqiri kishte karrierë impresive me përfaqësuesen, ndërsa është i vetmi lojtar që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, tre botërorë e tre evropianë.

Në Zvicër po vlerësohet shumë lart kontributi i Shaqirit për përfaqësuese.

Gazeta e madhe zvicerane, Blick, ka folur me emra të mëdhenj të futbollit helvetik për Shaqirin.

“Xherdani është monument i futbollit të Zvicrës. Ai kishte cilësi të jashtëzakonshme. Është artist që i ka dhënë formë historisë së futbollit të Zvicrës me golat e tij spektakolar. Ai ishte po ashtu personalitet i madh, djalosh që ishte gjithnjë i motivuar dhe pozitiv. Kam shumë kujtime të veçanta me të. Po e përmend Kupën e Botës 2014, ku ai shënoi ‘hat-trick’  ndaj Hondurasit. Vetëmohimi, sakrificat e tij kanë bërë që gjërat e komplikuara të duken të thjeshta. Ai vërtetë e ka pasur këtë. Ai nuk ishte asnjëherë i kënaqur dhe gjithnjë na ka befasuar. Për shembull me golin, me goditje gërshërë ndaj Polonisë”, ka thënë Johan Djourou, ish-bashkëlojtar i Shaqirit të Zvicra.

Ish-trajneri i të rinjve të Baselit, Peter Knaebel, ka treguar se Shaqiri e nisi ndeshjen e parë me seniorët e Baselit si mbrojtës i majtë dhe përfundoi në sulm.

“Kjo tregon se sa i gjithanshëm ishte. Si trajner i të rinjve, ju ndjeni një krenari për këtë. Ai ka ruajtur paparashikueshmërinë gjatë gjithë karrierës. Dhe po ashtu popullaritetin enorm te fëmijët. Xherdani ka familje të shkëlqyer. Babai i tij, që është i mirë dhe me zemër të madhe si Xherdani, erdhi vetëm një herë tek unë për t’u ‘ankuar’. Ai më pyeti se kur Xherdani do të bëhet shtetas i Zvicrës, që të mund të luaj për përfaqësuese”, ka thënë Knaebel.

Presidenti i Sionit, Christian Constantin, ka thënë se Shaqiri kishte karrierë trimëruese.

“Disa prej golave të tij janë të nivelit më të lartë botëror. Dhe disa prej tyre janë shënuar në turne të mëdhenj. As Alex Frei e Stephan Chapuisat nuk mund të maten me të për kualitetin e golave. Kur i shikoj këta gola mendoj se ai ka mundur të arrijë edhe më shumë me disiplinë fizike, si Cristiano Ronaldo. Por, ai është lojtar i madh që do të na mungojë në përfaqësuese”, ka theksuar Constantin, një prej figurave më të njohura në futbollin e Zvicrës.

Ish-presidenti i Baselit, Bernhard Heusler, ka kujtuar një episod të Shaqirit në një kamp stërvitor, kur ai kishte turpëruar kundërshtarin. Ishte grumbullimi i tij i parë me seniorët e Baselit.

32-vjeçari Shaqiri është rritur te Baseli para se të bënte karrierë impresive edhe në nivel klubesh. Ishte te Bayerni, Interi, Stoke City Liverpooli, Lyoni dhe tani është te Chicago Fire. Për Zvicrën i ka luajtur plot 125 ndeshje dhe i ka realizuar 32 gola, secili më i mirë se tjetri.

“Ai dha kontribut të çmuar që në edicionin e parë me të rriturit. Nuk e kam parë asnjëherë Shaqirin pa disponim dhe jam falënderues ndaj tij për shumë gjëra. Më vjen mirë që nuk i dolëm në rrugë kur e kishte rastin për të realizuar ëndrrën për karrierë në nivelin më të lartë, me transferim te Bayerni”, ka thënë Heusler.

Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Kubilay Turkyilmaz, ka thënë se pensionimi i Shaqirit erdhi për shkak të transferimit të tij në SHBA. Ai ka thënë se po të ishte Shaqiri i gatshëm fizikisht, do të startonte në çdo ndeshje në “Euro 2024”.

“Disa prej golave të tij janë jashtëzakonisht spektakolarë. Është mëkat që i ka shënuar vetëm 32 në 125 ndeshje. Unë i kisha 34 në 62 ndeshje. Golat e tij ishin më të mirë. Për fat të keq asnjëherë nuk e shfaqi gjithë talentin e jashtëzakonshëm. Të gjitha klubet e panë gjenialitetin e tij dhe ishin të dëshpëruara pasi ai këtë asnjëherë nuk e solli plotësisht në fushë. Pos te Stoke City, ku ishte lider absolut, ai asnjëherë nuk e kishte këtë tek Interi, Liverpooli e Bayerni. Do të na mungojë shumë në përfaqësuese. Largimi i tij do të sjell bilanc në zhveshtore, pasi dikush që gjithnjë ka ambicie për të luajtur nga fillimi, nuk është më aty”, ka thënë Turkyilmaz, që kishte qasje pak më kritike.

Ish-bashkëlojtari i tij te Baseli, Marco Streller, ka thënë “se me Shaqirin njëri prej më të mëdhenjve të vendit është larguar nga përfaqësuesja”. Strelleri ka theksuar se mënyra e lojës së Shaqirit, si e rrugës, i ka bërë të gjithë për vete.

Rolf Fringer, ekspert i futbollit në Zvicër, ka thënë se Shaqiri është dhjetëshi i fundit tipik i shkollës së vjetër.

Presidenti i Zuerichut, Ancillo Canepa, ka thënë se Shaqiri është prej lojtarëve më të mirë që i ka pasur Zvicra ndonjëherë.

Alex Frei, njëri prej emrave më të mëdhenj të futbollit në Zvicër ka theksuar se “Shaqiri e nisi karrierën si driblues dhe e përfundoi karrierën në përfaqësuese si lojtar i jashtëzakonshëm”. 

“Do të na mungojë shumë”, ka shtuar Frei.