Futboll

Vjeshta e Dritës, dëshpërimi i Llapit

Superliga

Qëllimi ende nuk është arritur. Por një pjesë të mirë të punës Drita e ka kryer.

Kështu thotë kapiteni i skuadrës gjilanase, Rron Broja. Mesfushori vlerëson se Drita me meritë e mbylli në vendin e parë stinorin vjeshtor. Por Broja insiston se Drita synon ta mbyllë e para gjithë edicionin 2024/2025 të Superligës së Kosovës në futboll.

“Ka qenë një stinor mjaft i mirë për ne. Vendi i parë nuk ka qenë i rastësishëm. Jemi me meritë kampion vjeshte. Jemi të kënaqur për momentin, mirëpo e dimë se duhet ende punë e madhe deri te titulli kampion. Besoj shumë që në fund do të arrijmë qëllimin tonë”, ka thënë Broja të dielën për KOHËN.

Broja ka qenë prej më të mirëve te Drita gjatë stinorit vjeshtor. Mesfushori 28-vjeçar të dielën, në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor, shënoi një gol dhe asistoi mjeshtërisht në fitoren 2:1 të Dritës ndaj Feronikelit 74.

Drita dimëron e para me 40 pikë, shtatë më shumë se kampioni në fuqi, Ballkani. Ekipi nga Suhareka pritet të jetë konkurrenti më i fortë i Dritës në garën për titull të kampionit.

Ballkani e nisi edicionin me trajnerin që bëri histori në futbollin e Kosovë, Ilir Daja. Pas tij drejtimin e mori Artim Pollozhani. Por për shkak të rezultateve jo të mira, Ballkani vendosi të ndajë rrugët me Pollozhanin. Ekipin tani po e drejton trajneri Orges Shehi.

Krahas trajnerëve, Ballkani bëri ndryshime edhe në ekip. Shumë lojtarë iu larguan e disa të tjerë iu bashkuan ekipit kampion.

Mesfushori Lindon Emërllahu ka besim se Ballkani do ta fitojë për herë të katërt rresht titullin e kampionit.

“E kemi mbyllur në vendin e dytë, por siç e dimë kampionati nuk ka përfunduar ende. Vetëm shtatë pikë jemi larg vendit të parë, por kemi ekip mjaft cilësor. Dhe në stinorin pranveror do të mundohemi që ta mbrojmë titullin e kampionit. Besoj shumë se do t’ia arrijmë qëllimit”, është shprehur Emërllahu, i cili të premten u shpall futbollisti më i mirë për vitin 2024 në Kosovë.

Ndonëse e nisi mirë, prapa në garën për titull ka mbetur Malisheva, e cila është në vendin e tretë me 30 pikë. Prishtina e Suhareka po ashtu janë larg garës për titull, ndërsa shumë larg synimit që kishte në fillim, është Llapi.

Ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina si synim e kishte titullin e kampionit. Batatina pranon se rezultatet e skuadrës ishin zhgënjyese në vjeshtë.

“Stinorin vjeshtor mund ta quaj jo të suksesshëm për ne. Ndoshta pas paraqitjes në garat e Evropës nuk arritëm të përgatitemi aq sa duhet. Kjo ndoshta na ka penalizuar dhe skuadra nuk ka marrë më të mirën, atë që është dashur. Kjo ka ndikuar edhe në kampionat, pasi vazhdimësia e fazës së parë ndikon shumë te skuadra. Po shohim që edhe skuadrat e mëdha evropiane po hasin në vështirësi dhe pastaj presioni bartet te lojtarët dhe është jo e lehtë për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë Batatina për KOHËN.

Llapi e mbylli vetëm në vendin e parafundit stinorin vjeshtor. I ka 18 pikë, tetë më shumë se Feronikeli 74 që zë vendin e fundit.

“Ka përfunduar stinori vjeshtor dhe në pranverë duam të nxjerrim maksimumin nga lojtarët. Besoj fuqishëm, pasi kam një grup të jashtëzakonshëm të lojtarëve dhe besoj se sërish do të dalim në Evropë, pasi Llapi ka cilësi e potencial për t’i arritur synimet. Mbijetesën as që e diskutoj. Kam cilësi të madhe dhe potencial për të dalë nga kjo krizë e rezultateve. Mendoj se në disa ndeshje jemi dëmtuar nga arbitrat dhe sërish na kanë futur në krizë”, ka vazhduar Batatina.

Gjilani, Dukagjini e Ferizaj kishin rezultate solide në vjeshtë. Gjilani e Dukagjini kanë nga 21 pikë në vendet gjashtë e shtatë, derisa Ferizaj është i teti me 20 pikë.