Sulmuesi i Brazilit dhe Real Madridit, Vinicius Jr, ka thënë se do të vazhdojë ta luftojë racizmin, ndonëse aktiviteti i tij bëri që të mos e fitojë “Topin e Artë”. Kështu të paktën kanë theksuar burime të afërta me lojtarin për “Reuters”.
Vinicius u deklarua në rrjetet sociale pasi përfundoi i dyti në votimin për çmimin prestigjioz, prapa mesfushorit të Spanjës dhe Manchester Cityt, Rodri.
Ceremonia “Topi i Artë” është mbajtur të hënën mbrëma në Paris.
“Do ta bëj 10 herë nëse më duhet ta bëj. Ata nuk janë gati”, ka shkruar Vinicius në “X”, pasi Real Madridi anuloi planet për ta përcjellë ceremoninë në Paris. Madrilenët bojkotuan ceremoninë pasi braziliani nuk u shpall fitues i çmimit kryesor.
Të pyetur se çka ka kuptuar Viniciusi me këtë postim, nga menaxhmenti i lojtarit kanë thënë se ai i është referuar luftës kundër racizmit. Në menaxhmentin e Viniciusit besojnë se kjo luftë e la brazilianin pa trofe, duke thënë se “bota e futbollit nuk është gati për ta pranuar një lojtar që lufton kundër sistemit”.
24-vjeçari në shumë raste është fyer në baza racore në Spanjë. Dy raste gjyqësore janë zhvilluar për fyerje ndaj superyllit të Real Madridit.
Real Madridi u shpall klubi më i mirë i vitit, ndërsa Carlo Ancelotti u shpall trajneri më i mirë i vitit. Madridi në edicionin e kaluar e fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligan. Trofetë për Real Madridin dhe Ancelottin nuk janë pranuar nga askush në ceremoni. Është pritur të jenë rreth 50 anëtarë në delegacionin e Real Madridit, por ata hoqën dorë nga pjesëmarrja më herët të hënën pasi kuptuan se Vini Jr nuk është fitues. Kishte thirrje “Vini, Vini”, para se Rodri të shpallej fitues i “Topit të Artë”.
Këtë vit “Topin e Artë” së bashku me “France Football” e ka organizuar UEFA. Ka pasur raportime të shumta se Vinicius Jr nuk është shpallur më i miri për shkak të raporteve jo të mira të Real Madridit me UEFA-n. Shumë futbollistë e ish-futbollistë të njohur i dolën në përkrahje Viniciusit, duke shkruar se ai e ka merituar “Topin e Artë”.
“France Football” ka nominuar 30 lojtarët më të mirë, ku ishte edhe Granit Xhaka, që në fund u rendit i 16-ti. Ndërkohë përzgjedhja finale është bërë nga 100 gazetarë sportivë. Nga 100 vendet më të ranguara në FIFA është përzgjedhur nga një gazetar për të votuar.
“Futboll politik. Vëllai im, ti je lojtari më i mirë në botë dhe asnjë çmim nuk mund të thotë ndryshe”, ka shkruar mesfushori i Real Madridit, Eduardo Camavinga. Shumë lojtarë të tjerë të Real Madridit kanë shpërndarë foton e Viniciusit me shkrimin “Je më i miri”.
“Kam pritur gjithë vitin që Vini Jr me meritë të njihet si lojtari më i mirë në botë. Dhe tani më thonë se ‘Topi i Artë’ nuk është për të”, ka thënë legjenda braziliane, Marta.
Vinicius Jr ishte vendimtar në kampanjën e suksesshme të Real Madridit që përfundoi me tituj në Champions e La Liga. Jude Bellingham, që po ashtu shkëlqeu te Madridi, përfundoi i treti në garën për “Topin e Artë”.