Xherdan Shaqiri mbeti jashtë formacionit bazë derisa Zvicra mori vetëm barazim në miqësoren e fundit për Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”.
Të shtunën pasdite në St. Gallen, në stadiumin e mbushur me shikues, Zvicra e Austria luajtën 1:1.
Austria po ashtu është në Evropian dhe ndaj Zvicrës dëshmoi se nuk do të jetë rivale e lehtë.
Austriakët kaluan në epërsi 1:0 që në minutën e pestë. Pas një topi të humbur nga Zvicra, Christoph Baumgartner u hodh në kundërsulm. Vrapoi më shumë se gjysmën e fushës dhe mposhti lehtë portierin e Zvicrës, Yann Sommer.
Zvicra barazoi në minutën e 26-të. Ruben Vargas bëri një goditje të papërshtashme nga krahu. Portieri austriak nuk e kontrolloi topin si duhet dhe Silvan Widmer përfitoi duke shënuar nga afërsia.
Më pas u zhvillua ndeshje e barabartë dhe pa shumë raste shënimi. Dhe shifrat nuk kanë ndryshuar.
Granit Xhaka ishte kapiten i Zvicrës. Ai u ndëshkua me karton të verdhë dhe luajti deri në minutën e 77-të. Shaqiri u aktivizua në minutën e 66-të, por pa bërë ndonjë dallim. Në stol te Zvicra mbeti Ardon Jashari.
Katër ditë më parë Zvicra kishte fituar 4:0 ndaj Estonisë. Por Austria i takon nivelit dukshëm më të lartë dhe “helvetikët” patën telashe për të dominuar.
Zvicra ndeshjen e parë në Evropian e ka më 15 qershor. Luan ndaj Hungarisë në Koeln. Austria do të ketë dy ditë më shumë për ta përgatitur ndeshjen e parë. Luan më 17 qershor ndaj Francës në Duesseldorf.