Futboll

Vetëm 12 futbollistë në stërvitjen e parë të Kosovës

Stërvitja e Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të hënën pasdite e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore para ndeshjeve me Lituaninë dhe Qipron.

“Dardanët” kanë ushtruar në fushën e Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali.

Të shtunën, Kosova në Kaunas do të luajë ndaj Lituanisë nga ora 15:00, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Javën tjetër është ndeshja me Qipron në Prishtinë.

Stërvitja e parë është drejtuar nga selektori Franco Foda, ndërsa pjesë e saj ishin vetëm 12 futbollistë. Zakonisht lojtarët që kanë ndeshje të dielen kursehen nga stërvitja në fushë në ditën e parë të grumbullimit të Kosovës. Ata kryesisht bëjnë ushtrime rigjeneruese në hotelin ku qëndron përfaqësuesja.

Në stërvitjen e së hënës munguan Amir Shaipi, Florent Hadërgjonaj, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti, Leart Paqarada, Valon Berisha, Lindon Emërllahu, Ermal Krasniqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Albion Rrahmani dhe Muharrem Jashari.

Jo të gjithë prej tyre kanë pasur ndeshje të dielën.

Pas dy xhirove, Kosova është e dyta në Grupin 2C me tri pikë, sa i ka edhe Qipro. Rumania është e para me gjashtë pikë. Lituania i humbi dy ndeshjet e para dhe renditet e fundit në grup.

Kosova do të jetë pa sulmuesin kryesor, Vedat Muriqi, në këto dy ndeshje.