Futboll

Vendimi i çuditshëm i FIFA-s: 117 euro për Hotin, ish-lojtarin e Kosovës U21

Engjëll Hoti

Ndonjëherë gjyqtarët e Dhomës së Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në FIFA negociojnë raste për miliona dollarë. E ndonjëherë për shifra fare të vogla. I tillë ishte rasti i Engjëll Hotit.

Ish-futbollisti i Kosovës U21, që u lind në Prum në regjionin Eifel në Gjermani, luajti për LKS Lodzin për një edicion. Periudha e kaluar te klubi polak përfundoi me mosmarrëveshje dhe me vendimin e FIFA-s që klubi duhej t’ia paguante Hotit shumën e 117 eurove.

Hoti, në të kaluarën ka luajtur edhe te të rinjtë e Stuttgartit e Kaiserslauternit. Karrierë ka bërë edhe në Kosovë e Shqipëri te Trepça ’89, Llapi, Tirana e Partizani i Tiranës. Tani është pjesë e Umraniyesporit në Turqi. Ka luajtur edhe për U21 të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Më 1 korrik të vitit 2023, Hoti ishte futbollist i Partizanit të Tiranës në Shqipëri dhe nënshkroi kontratë dyvjeçare me Lodzin, që sapo ishte promovuar në Ekstraklasa, elita e futbollit polak. Ai duhej të pranonte pagë mujore prej 9400 eurove. Për më shumë, kontrata e tij kishte klauzolë që në mënyrë të njëanshme ta ndërpriste kontratën brenda 14 ditësh, në rast të rënies nga liga.

Mesfushori kishte edicion të mirë. Luajti në 30 ndeshje dhe shënoi katër gola, por Lodzi u rendit i fundit.

Më 6 qershor 2024, Hoti e shkëputi kontratën, ndërsa klubi e konfirmoi një muaj më vonë. Më 31 korrik 2024, Hoti kërkoi pagë prej 2250 eurove për muajin qershor. Pasi paratë nuk iu paguan, ai bëri kërkesë tjetër në klub, ku kërkonte pagën e plotë prej 11 mijë e 650 eurove.

Klubi reagoi në të njëjtën ditë dhe i transferoi atij 2250 euro, por ia hoqi menjëherë 117 euro, pasi Hoti nuk e kishte kthyer fanellën që e kishte mbajtur veshur në ndeshje. Hoti më pas kishte bërë padi në trupin botëror qeverisës të futbollit në muajin shtator për 9400 euro të tjera. Ai bazohej në faktin se klubi e kishte konfirmuar shkëputjen e kontratës më 7 korrik, ndaj kërkonte kompensim të plotë për muajin qershor. Lodzi u arsyetua se në bazë të kontratës, shkëputja e saj me 28-vjeçarin ishte efektive më 6 qershor.

Hoti nuk u shfaq në stërvitje pas atyre ngjarjeve dhe ka mundur që ta përfundojë kontratën vetëm në korrik. Megjithatë, lojtari “ka dashur që ta shkëpusë kontratën me klubin sa më shpejtë që të ishte e mundur për të gjetur punë të re, për të cilën ia arriti”, ka njoftuar klubi LKS. Hoti nënshkroi me klubin e kategorisë së dytë të futbollit të Turqisë, Umraniyespor.

Gjykatësi i organit qeverisës botëror u pajtua me argumentet nga Lodzi në disa pika. Por avokati e pa nga një kënd tjetër çështjen e fanellës, pasi nuk kishte klauzolë në kontratë që i lejon “uljen e pagës” për mbajtjen e fanellave të ndeshjeve. Klubi i kategorisë së dytë duhet ta paguajë ish-lojtarin për 117 euro – plus interesin prej pesë për qind.