Futboll

Vëmendja te ndeshja United - Arsenal

Manchester United

Me ndeshjen e rëndësishme mes Nottingham Forestit dhe Manchester Cityt fillon xhiroja e 28-të e Premier Leagues. Kjo ndeshje është të shtunën prej orës 13:30.

Nottinghami ka befasuar me rezultate të mira këtë edicion. Është në vendin e tretë me 48 pikë. Ndërkohë Manchester City renditet i katërti me 47 pikë.

Derisa për Nottinghamin vendi i tretë është sukses i madh, për Cityn e Guardiolas vendi i katërt është dështim i madh. Kampioni në fuqi i Anglisë nuk ka pasur edicion më të keq për kohë të gjatë. Tashmë është eliminuar nga Championsi, ndërsa ka mbetur jashtë garës për titull në Angli.

Manchester City tani kërkon të mbetet në katër pozitat e para, ndërsa ndeshja e së shtunës është shumë e rëndësishme për këtë qëllim.

Në terminin prej orës 16:00, të shtunën, vëmendja do të jetë në “Anfield” ku takohen Liverpooli dhe Southamptoni.

Liverpooli është lider me 67 pikë nga 28 ndeshje. Synon tri pikë të reja për tjetër hap drejt titullit. Southamptoni është i fundit në tabelë me vetëm nëntë pikë. Tashmë ka fare pak gjasa për të shmangur rënien.

Ndeshja kryesore e xhiros së 28-të zhvillohet të dielën prej orës 17:30. Takohen dy prej skuadrave më të mëdha angleze, Manchester Unitedi e Arsenali. Por gjendja momentale e skuadrave dallon shumë. Derisa Arsenali fitoi 7:1 ndaj PSV-së në Champions, Manchester Unitedi luajti vetëm 1:1 me Real Sociedadin të enjten në Ligën e Evropës.

Arsenali është i dyti në tabelën e Premier Leagues me 54 pikë. Ndërkohë Manchester Unitedi është vetëm i 14-ti me 33 pikë.

Prej orës 15:00 të dielën janë takimet Chelsea – Leicester City dhe Tottenham – Bournemouth.

Xhiroja mbylet të hënën prej orës 21:00 me ndeshjen West Ham United – Newcastle United.