Sulmuesi i Përfaqësueses së Gabonit, Aaron Boupendza, vdiq të mërkurën në moshën 28-vjeçare. Ai u rrëzua nga një ndërtesë ku jetonte, njoftoi Federata e Futbollit e Gabonit.
Në komunikatën e Federatës thuhet se Boupendza “vdiq pas rënies nga kati i 11-të i ndërtesës ku jetonte në Kinë”. Ai ishte pjesë e skuadrës FC Zhejiang.
“Boupendza mbahet mend si një sulmues i madh që la gjurmë gjatë Kupës së Kombeve të Afrikës në Kamerun”, shkruan në komunikatën e Federatës së Futbollit të Gabonit.
Mediumi shtetëror “Gabon 24” shkroi se lojtari vdiq në qytetin lindor të Hangzhout. “Rrethanat e kësaj tragjedie mbeten të paqarta. Hetimet janë duke u zhvilluar”, shkruan “Gabon 24”.
Aaron Boupendza luajti për Bordeauxin, Hataysporin, Rapid Bukureshtin dhe disa skuadra tjera. Për Gabonin shënoi tetë gola në 35 ndeshje.