Futboll

Valon Behrami me detyrë të re për “Euro 2024”

Valon Behrami

Valon Behrami i ka dhënë fund karrierës si lojtar, por vazhdon të jetë pjesë e futbollit. Ish-reprezentuesi i Zvicrës ka qenë i angazhuar si ekspert i futbollit në televizione të ndryshme në Itali dhe Zvicër, ndërsa për Kampionatin Evropian “Gjermania 2024” do të jetë i angazhuar në mediumin e fuqishëm zviceran “20 Minuten”.

Behrami, që i ka luajtur 83 ndeshje për Zvicrën dhe ka bërë karrierë të madhe në nivel klubesh, do të kryej rolin e ekspertit dhe kolumnistit për “20 Minuten”.

Ky medium ka shkruar se paraqitjet e Behramit për Zvicrën në kampionate botërore dhe evropiane janë legjendare. Ish-mesfushori luftarak tani do të shkruajë për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me Evropianin në Gjermani.

Kolumnja e parë e tij do të publikohet më 18 maj.

“Vërtet e kam shijuar punën si ekspert televiziv në Itali dhe Ticino. Tani kam një sfidë të re si kolumnist dhe po shikoj para drejt Evropianit për të ndarë përvojën dhe vlerësimet e mia me lexuesit e ‘20 Minuten’”, ka thënë Behrami për rolin e ri të tij.

Te gazeta zvicerane janë të lumtur që do ta kenë Behramin në ekip.

“Behrami është njëri prej karaktereve të mëdha dhe top-lojtar i Zvicrës në dekadën e fundit. Ai ka luajtur me shumë lojtarë aktualë për kohë të gjatë dhe kështu mund të vlerësoi ngjarjet që kanë të bëjnë me Zvicrën, si asnjë tjetër”, ka thënë redaktorja e “20 Minuten”, Desire Pomper.
Udhëheqësi i sportit në “20 Minuten”, Tobias Wedermann, ka thënë se Behrami ka luajtur për klube dhe përfaqësuese në skenat më të mëdha. 

“Ekspertiza dhe analizat e qarta të tij janë shumë të çmuara dhe vlerë shtesë e mbulimit tonë të Euro 2024”, ka thënë ai. 

Behrami ka luajtur për skuadra si Lazio, West Hami, Fiorentina, Napoli, Hamburgu, Watfordi, Udinese e skuadra të tjera në Itali e Zvicër.

LEXO EDHE: