Futboll

Unitedi shpreson për sukses në FA Cup

Manchester United

Nën drejtimin e holandezit Erik ten Hag, Manchester Unitedi e fitoi Kupën FA në edicionin e kaluar.

Me trajnerin portugez, Ruben Amorim, Unitedi shpreson që ta përsërisë suksesin e edicionit të kaluar në këtë garë.

Manchester Unitedi megjithatë do të kenë punë të vështirë ndaj Fulhamit.

“Djajtë e kuq” të dielën nga ora 17:30 e presin Fulhamin në kuadër të raundit të pestë të Kupës FA.

Unitedi në raundin e katërt e eliminoi Leicester Cityn duke e mposhtur me rezultatin 2:1, falë një goli shumë të dyshimtë.

Golin e fitores e pati shënuar mbrojtësi Harry Maguire, por në momentin e golit ai ishte dukshëm në pozitë jashtë loje.

Deri më tani ndeshjet në FA Cup janë zhvilluar pa VAR.

Nga raundi i pestë do të përdoret sistemi VAR.

Fulhami në raundin e katërt e eliminoi Wigan Athleticun, që bënë gara në kategorinë e tretë angleze.

Fulhami qëndron më mirë se Unitedi me rezultate këtë edicion në Premier League.

Fulhami pas 27 ndeshjeve të zhvilluara ka 11 fitore, nëntë barazime dhe shtatë disfata. Renditet në pozitën e nëntë me 42 pikë.

Unitedi ka nëntë fitore, gjashtë barazime dhe 12 humbje. E zë vendin e 14-të me 33 pikë.

Kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City, të shtunën nga ora 18:45 e pret skuadrën që bënë gara në kategorinë e dytë, Plymouth.

Plymouthi ka qenë skuadra që ka befasuar në Kupën FA.

Në raundin e katërt e eliminoi Liverpoolin.

Të dielën nga ora 14:45 luhet ndeshja ndërmjet Newcastle Unitedit dhe Brightonit.