Futboll

Unitedi befason Cityn, e fiton Kupën FA për herë të 13-të

uNITED

(17:56) - Manchester Unitedi e ka fituar Kupën FA pasi në finalen e zhvilluar të shtunën e mposhti kampionin në fuqi, Manchester Cityn, 2:1.

Finalja u zhvillua në stadiumin “Wembley”, ndërsa trofeun në fund e ngritën lart “djajtë e kuq”.

Ishte trofeu i parë i sezonit dëshpërues të Unitedit, që e ndali dominimin e Cityt, skuadrës e cila kërkonte dy trofetë madhorë të Anglisë, për herën e dytë rresht.

Me këtë triumf, Unitedi është kualifikuar në Ligën e Evropës për sezonin tjetër.

Të dyja këto ekipe luajtën edhe në finale të Kupës FA në edicionin e kaluar.

City e kishte fituar atë finale me rezultatin 2:1.

Alejandro Garnacho e hapi serinë e golave në këtë ballafaqim në minutën e 30-të, pas gabimit nga mbrojtësi kroat, Joshko Gvardiol, dhe portieri Stefan Ortega.

Kobbie Mainoo më pas në minutën e 39-të, e shtoi edhe një gol tjetër. Festa ishte e madhe në stadium, e veçanërisht për trajnerin Erik ten Hag, puna e të cilit në krye të Unitedit është në rrezik për shkak të kritikave të mëdha shkaku i rezultateve negative.

Unitedi e kishte nën kontroll lojën në pjesën e parë, por City u kthye me paraqitje tejet të mirë në pjesën e dytë dhe shënoi me zëvendësuesin Jeremy Doku në minutën e 87-të.

Erling Haaland kishte rast për të shënuar kur e qëlloi transversalen, ndërsa Kyle Walker pati tjetër rast, por Andre Onana nuk u mposht. Nga afërsia rast ka humbur edhe Julian Alvarez.

Për Unitedin është trofeu i 13-të në Kupën FA. Rekordin e mban Arsenali me 14-të trofe.

Për trajnerin Ten Hag është trofeu i dytë i fituar me Manchester Unitedin, pas suksesit të arritur në edicionin e kaluar në Kupën e Ligës.

Lojtarët dhe stafi i skuadrës e përqafuan atë pas vërshëllimës së fundit, pasi arriti të fitojë diçka në një sezon shumë të vështirë.

Ka spekulime rreth të ardhmes së tij se ai mund të shkarkohet, pavarësisht trofeut të fituar. Unitedi e mbylli sezonin më të dobët në 34 vjet.

“Nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me ekipin dhe fitimin e kupës”, ka thënë Ten Hag para nisjes së duelit.

Ishte krejtësisht tregim tjetër për Cityn. Pasi u bë skuadra e parë që e fiton kampionatin katër herë rresht, synohej që të arrihej dy herë rresht fitimi i dy trofeve të mëdhenj në Angli. Parakalimi i Cityt në Manchester do të bëhet të hënën, për festën historike të ligës, por nuk do të përfshihet edhe trofeu i Kupës FA.

City dominoi me posedim në pjesën e parë, por Unitedi ishte më i rrezikshëm në sulme dhe krijoi epërsinë i pari.

Falë gabimit të bërë nga kundërshtarët, Unitedi e zhbllokoi sfidën e më pas shënoi tjetër gol. City u mundua deri në minutat e fundit për ta barazuar rezultatin, por nuk arriti të shënonte më shumë se një gol.

I lumtur për këtë triumf u nda Mainoo, një prej lojtarëve më premtues te ky ekip.

“Ka qenë një sezon me ngritje e ulje. Kjo ka qenë e vetmja gjë për të cilën ne shikonim para”, ka thënë Mainoo. “E dinim se duhej të ishim bashkë. Përgatitjet për këtë ndeshje kanë qenë të shkëlqyera. Kemi treguar se mund të jemi konkurrentë e të fitojmë ndeshje”, ka thënë Mainoo.

 


Unitedi ia shënon edhe golin e dytë Cityt

(16:43) - Manchester United po e befason Cityn në finale të Kupës FA.

Unitedi ka arritur ta gjejë edhe golin e dytë përmes Kobbie Mainoo në minutën e 39-të.

Unitedi po udhëheq 2:0.

VIDEO:


Gabim i rëndë i Gvardiolit e Ortegas, Unitedi në epërsi

(16:35) - Skuadra e Manchester Unitedit ka kaluar në epërsi me golin e Alejandro Garnachos i cili realizoi në minutën e 30-të në finalen e Kupës FA.

Unitedi po udhëheq 1:0 ndaj Manchester Cityt. 

Garnacho shfrytëzoi mjaft mirë gabimin e Josko Gvardiolit e portierit Stefan Ortega, që nuk patën koordinim të mirë. 

VIDEO: