Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) është duke shqyrtuar mundësinë që në formatin e ri të Ligës së Kampionëve të bëhen të tjera ndryshime.
Njëra prej ideve është që në fazën nokaut, të hiqen vazhdimet dhe nëse rezultati është i barabartë pas 90 minutave, të ekzekutohen penalltitë menjëherë.
UEFA një gjë të tillë synon ta bëj në mënyrë që të largohet presioni mbi lojtarët, të cilët janë shumë të ngarkuar për shkak të orarit të ngjeshur.
Për t’u zyrtarizuar një gjë të tillë, UEFA do të jetë në pritje të përgjigjes së klubeve, ka shkruar “Sport Bild” të mërkurën.
Prej ideve që po shqyrtohen është edhe që pas fazës së ligës, ekipet prej vendit të parë deri në vendin e tetë, ta kenë përparësinë e terrenit në çerekfinale dhe gjysmëfinale, pra ta luajnë ndeshjen kthyese në shtëpi. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në këtë edicion. Arsenali ka qenë i zhurmshëm në këtë drejtim me arsyetimin se në fazën e ligës ka qenë më i mirë, por është dashur të luajë si mysafir në ndeshjet vendimtare.
Një tjetër shqyrtim i UEFA-s është që përballjet mes skuadrave të një shteti të nisin prej fazës së çerekfinales.
Bayern Munich – Leverkusen dhe Real Madrid – Atletico Madrid, ishin takuar mes vete në fazën e 1/8 së finales së Championsit në këtë sezon.