Futboll

UEFA e bën zyrtar vendimin që shpresohej të mos merrej – Evropiani 2027 në Shqipëri e Serbi

uefa

Ajo që pritej, e që shpresohej të mos realizohej, ndodhi. Konfederata Evropiane e Futbollit të martën njoftoi zyrtarisht se Kampionatin Evropian i vitit 2027 për futbollistët deri në moshën 21-vjeçare do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.

Që në maj të vitit të kaluar Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi për kandidaturën e përbashkët me Federatën e Futbollit të Serbisë për ta organizuar Evropianin e futbollistëve të grupmoshës Shpresa. Kandidatura Shqipëri – Serbi ishte e vetmja. Vendimi i UEFA-s pritej në dhjetor, por u mor të martën nga Komiteti Ekzekutiv i Konfederatës Evropiane.

Anëtar i Komitetit Ekzekutiv, si njëri prej nënpresidentëve të UEFA-s, është presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Duka ka mbrojtur shumë herë vendimin që Evropiani të organizohet bashkë me Serbinë. Por kritikat ndaj tij e ndaj FSHF-së ishin të shumta. Dhe vazhdojnë të jenë. 

Por kritikat nuk është se sollën rezultat. FSHF-ja iu përmbajt idesë për ta organizuar Evropianin bashkë me Serbinë dhe prej të martës vendimi është zyrtar.

“Pas dorëzimit të një dosjeje të vetme të ofertës së përbashkët, Federatat Shqiptare dhe Serbe të Futbollit u caktuan mikëpritëse për edicionin e vitit 2027 të turneut. Turneu me 16 ekipe është planifikuar të luhet në katër stadiume në Shqipëri dhe katër stadiume në Serbi. Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Serbi dhe finalja do të zhvillohet në Shqipëri”, ka njoftuar UEFA pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.

Në Shqipëri ndeshjet do të zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Rrogozhinë. Finalja do të zhvillohet në “Air Albania”, stadiumin që zakonisht mbushet me tifozë nga Kosova kur luan Shqipëria dhe ku këngët për dashurinë ndaj atdheut i japin krahë kuqezinjve.

Në Serbi ndeshjet do të luhen në Novi Sad, Loznicë, Leskovc dhe Zajeçar. Ndeshja hapëse pritet në stadiumin “Karagjorgje” në Novi Sad.

Shqipëria U21 dhe Serbia U21 do të jenë pjesë e Evropianit. Nuk do të paraqiten në kualifikime. Në kualifikime do të përcaktohen 14 përfaqësueset tjera. Shorti tërhiqet të enjten, ndërsa pjesë e tij do të jetë edhe Kosova. Kualifikimet do të zhvillohen gjatë dy vjetëve të ardhshme.

Shqipëria e Serbia për herë të parë organizojnë Evropian U21. Shqipëria sivjet e organizon Evropianin U17, ndërsa në Tiranë më herët u luajt edhe finalja e Ligës së Konferencës.

FSHF-ja e quan vendimin historik, por i shmanget “Serbisë”

Federata Shqiptare e Futbollit e ka vlerësuar historik vendimin e UEFA-s.  Në shkrimin e publikuar të martën pasdite, FSHF-ja është munduar maksimalisht që të shmangë përmendjen e Serbisë. Madje Serbinë e ka përmendur vetëm në një deklaratë të presidentit Duka.

FSHF-ja ka shkruar se Shqipëria është një nga vendet organizatore, por pa cekur vendin tjetër. Shqipëria për herë të parë do të jetë pjesë e Evropianit U21. Deri në finalen eventuale, kuqezinjtë do të luajnë në Shqipëri, ndërsa Serbia U21 në vendin e saj.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se Evropiani U21 do të jetë më shumë se një turne futbolli. Ai e ka vlerësuar të rëndësishëm vendimin e UEFA-s.

“Evropiani do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”, ka thënë Duka për sajtin zyrtar të FSHF-së.

Ai ka vazhduar duke thënë se kjo do të jetë ngjarja sportve më e madhe në histori të Shqipërisë.

“Na jep mundësinë që me mbështetjen e UEFA-s të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trasghëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”, ka shtuar Duka.

FSHF-ja ka fshirë në rrjetet sociale komente që ishin kundër saj. FSHF-ja dhe Duka kritikohen ashpër që vendosën të organizojnë Evropianin me një vend që ka pretendime të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe qëndrime antishqiptare.

Ekipet A të Shqipërisë dhe Serbisë do të përballen në kualifikimet për Botërorin 2026 dhe ndeshja në Serbi pritet të dëshmojë sërish qëndrimin antishqiptar të tifozëve serbë. Por FSHF-ja megjithatë, vendosi për organizim të përbashkët me Serbinë.

Reagimi i Federatës serbe

Një komunikatë të ngjashme me atë të FSHF-së ka lëshuar Federata e Futbollit e Serbisë. Kjo me gjasë është bërë me koordinim të UEFA-s.

Megjithatë federata serbe e ka përmendur në titull të shkrimit faktin që Evropiani organizohet bashkë me Shqipërinë.

Edhe federata serbe ka përshëndetur vendimin e Ekzekutivit të UEFA-s.

Nga federata serbe foli sekretari i përgjithshëm, Branko Radujko. Sipas tij, vendimi i UEFA-s është shumë domethënës, ndërsa Evropiani 2027 do të jetë më shumë se turne futbollit.

“Ky do të jetë turneu më i madh i futbollit në histori të Serbisë, ngarje që do t’i tregojë botës se çka është e mundur kur njerëzit fokusohen në qëllim të përbashkët, të inspiruar nga fuqia e futbollit. Si i tillë, ai është një trampolinë për përmirësimin e stadiumeve dhe ambienteve të tjera të futbollit në të gjithë vendin, me mbështetjen e UEFA-s. Do të krijohet një trashëgimi e qëndrueshme që do të frymëzojë brezin e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve të futbollit në të dy vendet”, ka thënë Radujko.

Ai ka shtuar se Serbia ka ambicie për sukses në Evropian dhe se i beson gjeneratës së lojtarëve që do të udhëhiqen nga Aleksandar Kolarov. Në federatën serbe presin që të organizojnë edhe ngjarje të tjera të rëndësishme.

Për Evropianin Shqipëri – Serbi pritet të ketë kundërshtime edhe në të ardhmen. Mbetet të shihen efektet e kësaj iniciative, por tashmë është e qartë se sidomos te shqiptarët në Kosovë Duka nuk do të jetë shumë i pëlqyer për shkak të këtij vendimi.