Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe 1500 euro skuadrën e Dinamos, për lëshim në organizim të ndeshjes kundër Suharekës.
Ndeshjen e xhiros së 20-të të Ligës së Parë – Grupi A, Suhareka e kishte fituar 2:1 në udhëtim te Dinamo, skuadra ferizajase.
“Pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi A, Dinamo – Suhareka, derisa personat zyrtar nën përcjellje të policisë po shkonin në zhveshtore, në hyrje të tunelit një person i paautorizuar sulmon me grushte gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është detyruar të shkojë në emergjencë për trajtim mjekësor. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor dhe protokollit zyrtar të ndeshjes Dinamo – Suhareka. Bazuar në nenin 53 paragrafi 1 pika C të Rregullores disiplinore, “KF Dinamo” dënohet me dy ndeshje zyrtare të radhës pa praninë e shikuesve”, shkruhet në vendimin e Shkallës së Parë të Komisionit Disiplinor dhe Etikës të enjten.
Ndërkohë, FC Prishtina për shkak të hedhjeve të mjeteve piroteknike nga tifozët, është dënuar me 1000 euro.
Komisioni ka marrë edhe disa vendime tjera.