Futboll

Triumfi në Champions, i veçantë si për Realin ashtu për Dortmundin

Real Madrid -  Borussia Dortmund

Real Madridi do të mundohet ta fitojë trofeun e 15-të të Kupës Evropiane.

Borussia Dortmundi do të mundohet ta shkaktojë befasinë më të madhe në finalet e zhvilluara së fundmi në futbollin evropian.

Kushdo që e fiton Ligën e Kampionëve të shtunën, do të jetë arritje e veçantë.

Reali e ka dominuar Evropën në nivel klubesh. 14-të trofe, janë dyfishi i trofeve të fituar nga ndjekësi më i afërt, Milani.

“Klubi e ka shkruar historinë e vet në këtë garë”, ka thënë Carlo Ancelotti, shkruan “Associated Press” të enjten.

Rekordi i Realit në periudhën e Ligës së Kampionëve, është edhe më impresiv. Tetë fitore qëkur turneu mori këtë emër në vitin 1992. Tri rresht, nga viti 2016 deri në vitin 2018 dhe pesë në dhjetë vjetët e fundit. Në të njëjtën periudhë, Reali ka fituar katër tituj në La Liga.

Madrilenët kanë qenë edhe gjysmëfinalist në 12-të nga 14-të sezonet e fundit.

“Është diçka e veçantë për klubin, për gjithë madrilenët dhe për ne, që jemi po ashtu madrilenë. Është garë në të cilën ne jemi më të fokusuar”, ka thënë Ancelotti, i cili mund ta fitojë trofeun e pestë si trajner në Ligën e Kampionëve.

Për Dortmundin do të jetë vetëm finalja e tretë, ndërsa një herë është fitues i garës në vitin 1997.

Te Dortmundi deri para këtij edicion, në skuadër ka qenë Jude Bellingham, që ka shkëlqyer te Real Madridi.

Skuadra e Dortmundit ka pasur edhe lojtarë si Erling Haaland që kaloi te Manchester City, e po ashtu futbollistë si Jadon Sancho, Christian Pulishiq, Pierre-Emerick Aubameyang, Ousmane Dembele e Robert Lewandowski.

Dortmundi u jep hapësirë lojtarëve të rinj, e më pas i shet te skuadrat e mëdha evropiane.

Por, suksesi i edicionit aktual për Dortmundin ka qenë i jashtëzakonshëm.

Dhe tani synohet trofeu i dytë në garën elitare për klube në Evropë.