Futboll

Triumfi i Vojvodës me Kosovën dhe puna me Fabregasin

Mërgim Vojvoda

Mbrojtësi i Comos, Mërgim Vojvoda, ka arritur sukses të madh me Kosovën, duke u ngritur në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s për herë të parë në histori. Kosova fitoi dy ndeshjet e plejofit për Ligën B kundër Islandës me rezultat të përgjithshëm 5:2. Në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të paraqitet në Ligën B.

“Arritja në Ligën B të Ligës së Kombeve është arritje e madhe dhe një burim krenarie e madhe për vendin tonë”, ka thënë Vojvoda.

Në ndeshjen e parë, të luajtur në Prishtinë më 20 mars, Kosova fitoi 2:1 falë golave të Lumbardh Dellovës dhe Elvis Rexhbeçajt. Vojvoda në fushë ishte gjatë 80 minutave. Në ndeshjen e kthimit, të luajtur tri ditë më vonë në Murcia të Spanjës, Kosova fitoi 3:1 me “hat-trickun” e Vedat Muriqit. Vojvoda në ndeshjen e kthimit luajti 90 minuta.

Kontributi i tij u vlerësua i madh në suksesin historik të Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

30-vjeçari me fanellën e Kosovës ka shënuar dy gola në 51 ndeshje nga viti 2017. Ai luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë. Por shpesh është aktivizuar edhe në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë. Vojvoda ka folur edhe për integrimin e tij në Como.

Momenti i mirë i Vojvodës me Kosovën mund t’i shërbejë shumë edhe Comos në ndeshjet e ardhshme. Pasi mbërriti në Como në shkurt, Vojvoda debutoi në Serie A kundër Napolit, duke iu afruar më pas golit ndaj Romës. Ai në ndeshjen në udhëtim ndaj Romës kishte qëlluar shtyllën në minutat e fundit. Trajner i Comos është Cesc Fabregas.

“Këtu në Como ne punojmë shumë në teknikë, posedim të topit dhe ndërtimin e lojës nga prapa. Është një qasje ndryshe në krahasim me ekipin kombëtare, ku ka metoda të tjera dhe një stil tjetër loje. Por ne po stërvitemi mirë dhe tani jemi të fokusuar në ndeshjen e radhës në shtëpi kundër Empolit, ku duam të punojmë gjithçka që na thotë trajneri”, ka thënë Vojvoda.

Nga triumfi me Kosovën deri në fillimin e kapitulli të tij të ri në Itali, sezoni i Mërgim Vojvodës po kthehet në një rrugë plot kuptim, brenda dhe jashtë fushës.