Edicioni katastrofal i Ajaxit u përkeqësua të martën, kur klubi nga Amsterdami pezulloi shefin e ri ekzekutiv, Alex Kroes. Klubi i famshëm holandez tha se synon ta shkarkojë Kroesin me dyshimin për tregtim të brendshëm të aksioneve të klubit.
Kroes, i cili nisi punën tek Ajaxi vetëm muajin e kaluar, si zëvendësues i përhershëm i Edwin van der Sarit, ka postuar një deklaratë ku ka thënë se “thjesht nuk mund ta pranoj këtë vendim të Bordit Mbikëqyrës”.
I njohur si administrator i suksesshëm sportiv, Kroes u vlerësua vendimtar për ta kthyer katër herë kampionin e Evropës në krye të futbollit holandez dhe atij kontinental. Ajaxi pati një fillim të vështirë të edicionit. Ra në zonën e rrezikshme dhe shkarkoi trajnerin Maurice Steijn.
Klubi tashmë është ngjitur në vendin e pestë në Eredivisie, por është 28 pikë prapa liderit PSV Eindhoven. Ajaxi po kërkon trajner të ri për edicionin e ardhshëm.
“Jemi thellësisht të tronditur që kjo ka ndodhur në Ajaxi. Është shumë e dëmshme për klubin dhe për të gjithë ata që kanë dashuri për Ajaxin”, ka thënë Michael van Praag, kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Ajaxit.
Ajaxi tha se e pezulloi Kroesin pasi zbuloi se ai bleu më shumë se 17 mijë aksione të klubit një javë para se emërimi i tij i planifikuar të shpallej në gushtin e vitit të kaluar.
“Bordi Mbikëqyrës kërkoi këshilla të jashtme ligjore, që treguan se ai me gjasë është i përfshirë në tregtim të brendshëm. Tregtimi i brendshëm është vepër penale”, thuhet në deklaratën e klubit.
Kroes konfirmoi në deklaratën e tij se bleu rreth 17.500 aksione të Ajaxit para se të emërohej në pozitën e shefit ekzekutiv. Ai tashmë kishte aksione të shumta në klub.
“Mendova se do të ishte një shenjë pozitive për të shprehur besimin te klubi dhe tek aksionarët”, tha ai.
“Unë besoj se besimi ndaj aksionarëve dhe palëve të interesuara shprehet kur blini vetë aksione dhe kështu rrezikoni edhe vetë”.
Legjenda Van der Sar dha dorëheqje majin e vitit të kaluar, pasi ekipi përfundoi i treti në ligën holandeze.
Kështu Ajaxi mbeti pa vend në Ligën e Kampionëve. Van der Sar kishte partneritet të fortë e të suksesshëm me ish-shokun e skuadrës, Marc Overmars. Por Overmars u largua papritur nga pozita si drejtor i futbollit. Kjo ndodhi dy vjet pasi kërkoi falje për dërgimin e mesazheve të papërshtatshme për kolegët në klub.