Mesfushori spanjoll, Fermin Lopez, është afër rinovimit të kontratës me gjigantin katalunas, Barcelona.
Lopez, sipas kontratës së re do të jetë pjesë e Barçës deri në verën e vitit 2029. Kontrata aktuale, 21-vjeçarit i përfundon në vitin 2027.
Lopez konsiderohet futbollist i rëndësishëm për trajnerin Hansi Flick.
Spanjolli i mungoi Barçës në gjashtë ndeshjet e fundit për shkak të lëndimit.
Pjesë e skuadrës së parë të Barcelonës, Lopez është nga viti i kaluar.
Rivaldo: Më pëlqen shumë Yamali
Ish-sulmuesi i njohur brazilian, Rivaldo, është i kënaqur me paraqitjet që është duke i bërë në moshën 17-vjeçare, sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal.
Rivaldo beson se në të ardhmen Yamal do ta fitojë edhe Topin e Artë.
“Lamine është lojtar i madh. Është lojtar që e shijon futbollin dhe i bën tifozët ta shijojnë lojën. Ai tashmë është kampion i Evropës. Jam i sigurt se në të ardhmen do ta fitojë Topin e Artë”, ka thënë Rivaldo, shkruajnë të martën mediumet spanjolle.
Rivaldo ka luajtur për Barçën nga viti 1997 deri në vitin 2002.
Është prej emrave të mëdhenj të futbollit.
Totti mendon t’i kthehet futbollit
Legjenda e skuadrës së Romës, Francesco Totti, është duke e menduar kthimin në futboll. Totti në vitin 2017 i dha fund karrierës si lojtar.
Të martën, Totti ka deklaruar se disa klube nga Serie A e kanë ftuar që t’i kthehet futbollit në moshën 48-vjeçare.
“Kurrë mos thuaj kurrë në jetë. Duhet të stërvitem mirë për të luajtur në Serie A. Disa klube të Serie A më ftuan që t’i kthehem futbollit. Kjo ndodhi muajin e kaluar dhe më bënë të mendoj për këtë”, ka deklaruar Totti, shkruan “Football Italia”.
Totti e ka kaluar gjithë karrierën te skuadra e Romës. Pjesë e klubit italian ishte nga vitit 1993 deri në vitin 2017. Me Romën, Totti ka zhvilluar 785 ndeshje dhe ka kontribuar me 307 gola dhe 207 asistime.
Për Përfaqësuesen e Italisë, Totti ka luajtur në 58 ndeshje. Ka realizuar nëntë gola. Totti ka theksuar se do të bëhej gati për dy muaj për të luajtur në elitën italiane.