Mbrojtësi i krahut Aaron Wan-Bissaka është lojtari më i ri i West Ham Unitedit. Klubi anglez të martën e zyrtarizoi transferimin e mbrojtësit. Wan-Bissaka është transferuar nga Manchester Unitedi. Anglezi ka nënshkruar kontratë shtatëvjeçare me klubin tjetër elitar të Anglisë.
“Jam i lumtur që jam këtu, jam mirënjohës për pritjen e ngrohtë dhe jam i emocionuar që do të luaj për klubin dhe do të jap gjithçka. Është një ndjenjë fantastike të kthehem në Londër dhe jam i emocionuar për atë që po vjen. Unë kam lindur këtu, kështu që i njoh të gjitha gjërat e Londrës, e cila luan një rol të madh në jetën time. Të rikthehem duke luajtur në këtë qytet do të thotë shumë për mua”, ka thënë Wan-Bissaka. West Hami i ka paguar 17 milionë euro Unitedit për transferimin e 26-vjeçarit.
Zubimendi refuzon Liverpoolin
Mesfushori spanjoll Martin Zubimendi e ka refuzuar kalimin te skuadra e Liverpoolit. Ai dëshiron të vazhdojë të paraqitet për klubin spanjoll, Real Sociedad. Zubimendit i është ofruar rinovimi i kontratës me një pagë më të lartë se që e ka aktualisht. Liverpooli ishte pajtuar të shpenzonte 51 milionë euro për spanjollin. 25-vjeçarit i skadon kontrata me Sociedadin në vitin 2027. Për Zubimendin më herët kishte shprehur interesim edhe gjiganti katalunas, Barcelona.
Perez largohet nga Betisi, transferohet te Villarrealli
Sulmuesi Ayozo Perez nga edicioni i ardhshëm do të paraqitet për skuadrën e Villarrealit. Të martën klubi spanjoll ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Real Betisin për ta transferuar Perezin. Ai ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Villarrealin.
“Villarreali dhe Real Betisi kanë arritur marrëveshje për transferimin e Ayoze Perezit. Perezi do të përfaqësojë Villarrealin për katër sezonet e ardhshme, deri në qershor të vitit 2028. Perez, pas nënshkrimit të kontratës me klubin, është takuar me shokët e tij të ri dhe do të fillojë me stërvitje të mërkurën. Prezantimi i tij zyrtar si lojtar i ri i Villarrealit do të bëhet të premten nga ora 13:00”, shkruhet në njoftimin e Villarrealit.
31-vjeçari është transferuar për katër milionë euro nga Real Betisi te Villarreali.
Yorke preferon Nunezin para Hojlundit
Ish-futbollisti i Manchester Unitedit, Dwight Yorke ka t hënë të martën se sulmuesi Darëin Nunez do të ishte një sulmues më i mirë për Manchester Unitedin se që është ai aktual, Rasmus Hojlund.
“Nëse do të më ishte dhënë mundësia, do ta ndërroja Rasmus Hojlundin me Darwin Nunezin sepse ai ka më shumë cilësi. Ai ka ritëm, ka fuqi. Ai mund të luaj më mirë me topin. I duhet vetëm të përmirësojë gjuajtjen e fundit para portës dhe do të ishte sulmuesi më i mirë në ligë. Si trajner, unë do të zgjidhja Nunezin para Hojlundin çdo ditë të javës”, ka thënë Yorke, shkruan “Goal”.
Bournemouthi e transferon mbrojtësin e Barcelonës
Skuadra e Bournemouthit të martën e ka zyrtarizuar mbrojtësin e Barcelonës, Julian Araujo. 23-vjeçari është transferimi i pestë i Bournemouthit gjatë këtij afati kalimtar. Araujo me skuadrën angleze ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare. Drejtori ekzekutiv i skuadrës angleze Neill Blake u shpreh i lumtur me transferimin e meksikanit.
“Jemi të kënaqur që arritëm ta sjellim me Julianin në Bournemouth. Ai është një lojtar i ri me potencial të lartë dhe ne jemi të kënaqur që kemi bindur lojtarin t’i bashkohet klubit tonë. Ne besojmë se kemi të gjitha kushtet këtu që Juliani të ndërtojë cilësinë që ai tashmë ka. Mezi presim ta shohim atë në ‘Vitality Stadium’”, deklaroi Blake. “Metro”. Unitedit pritet t’i bashkohet në skuadër edhe mbrojtësi i Bayern Muenchenit, Noussair Mazraoui.
Chelsea i kërkon Gallagherit të kthehet në Londër
Skuadra e Chelseat i ka kërkuar mesfushorit, Conor Gallagher të kthehet në Londër. Ditë më parë është raportuar se Gallagher do të transferohej tek Atletico Madridi për 36 milionë euro, por skuadra e Chelseat po dëshiron që në marrëveshjen me Gallagherin të përfshihet edhe sulmuesi portugez, Joao Felix, shkruajnë të martën mediume të ndryshme angleze. Mësohet se Gallagher i ka përfunduar testet mjekësore në Madrid dhe është pajtuar për një kontratë pesëvjeçare. Chelsea është duke e menduar kthimin e Felixit në skuadër me një marrëveshje prej 35 milionë eurosh, por Atletico po kërkon mbi 50 milionë euro. Anglezi me Chelsean ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Ai ka refuzuar vazhdimin e kontratës.
Calhanoglu nuk mendon largimin nga Interi
Mesfushori turk, Hakan Calhanoglu nuk është duke e menduar largimin nga skuadra italiane, Inter. Të martën, Calhanoglu në një intervistë për “Sky Sports” ka thwnw se asnjëherë nuk e ka menduar largimin nga klubi italian edhe pse ka pasur raportime të shumta për të ardhmen e tij.
“Ata që më njohin e dinë se si jam. Jam një person që hesht gjithmonë, nuk flas shumë, më pëlqen të punoj dhe të përmirësohem. Në këto tri vite kam gjetur shokë dhe tifozë të jashtëzakonshëm. Nuk e kisha menduar kurrë të largohesha, isha i sigurt se do të qëndroja tek Interi. Ka pasur diskutime të shumta për të ardhmen time, por kurrë nuk thashë asgjë dhe mendoja vetëm për punën time”, ka thënë 30-vjeçari.
Liverpooli synon transferimin e portierit gjeorgjian
Pas paraqitjeve të mira që pati në Evropianin “Gjermania 2024” me Gjeorgjinë, portieri Giorgi Mamardashvili mund të transferohet te skuadra e Liverpoolit.
Klubi anglez është në bisedime me Valencian për t’i siguruar shërbimet e gjeorgjianit. Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano ka raportuar të martën se Liverpooli po dëshiron që ta blejë kartonin e 30-vjeçarit, dhe më pas ta huazojë atë.
Portieri i parë i Liverpoolit për edicionin 2024/2025 do të mbetet braziliani, Alisson Becker. Valencia është duke i kërkuar 30 milionë euro për shërbimet e Mamardashvilit.