Raphael Varane ka konfirmuar se do të largohet nga Manchester Unitedi në fund të këtij edicioni. Ai largohet nga “Old Trafford” pas tri vjet qëndrim tek Unitedi.
Mbrojtësi shumë i suksesshëm kishte kaluar në Manchester United nga Real Madridi në gushtin e vitit 2021. Ai luajti në 93 ndeshje për skuadrën angleze, të cilën e ndihmoi të fitonte “Carabao Cup” në vitin e kaluar.
Mbrojtësi i qendrës nuk ka luajtur që nga 4 prilli, por po punon për kthim të shpejtë nga lëndimi.
Varane i ka luajtur 93 ndeshje për Francën, ndërsa kulmin e arriti gjatë dekadës te Real Madridi.
Casemiro kërkohet nga skuadra të Arabisë Saudite
Mediumi anglez, “Telegraph” ka shkruar të martën se mesfushori i Manchester United, Casemiro, është në listën e disa skuadrave të Arabisë Saudite.
Këto klube të elitës së futbollit arab, përveç Casemiros po i kërkojnë edhe dy yje të tjerë të Premier Leagues.
Mësohet se dy futbollistët e tjerë janë Mohamed Salah i Liverpoolit dhe Bruno Fernandes i Manchester Unitedit.
Braziliani, Casemiro është pjesë e Unitedit nga viti 2022. Ai u transferua nga Real Madridi për 70 milionë euro. Në edicionin aktual, 32-vjeçari me fanellën e Unitedit në 30 ndeshje ka shënuar pesë gola dhe ka kontribuar me tre asistime.

Conte mund ta marrë drejtimin e Napolit
Trajneri italian, Antonio Conte mund të bëhet trajner i Napolit pas përfundimit të edicionit aktual. BBC ka raportuar të martën se drejtuesit e Napolit po dëshirojnë që t’ia besojnë Contes postin e trajnerit. Raportohet se Conte është i gatshëm që ta zbresë pagën e tij vetëm për tu bashkuar me skuadrën italiane.
Napoli, anëtar i të cilit ekip është kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, në edicionin aktual ka zëvendësuar tre trajnerë, Rudi Garcian, Walter Mazzarin dhe tani drejtohet nga Francesco Calzona.
Conte është pa punë që kur u largua nga Tottenhami në pjesën e dytë të edicionit 2022/23. Para se të kalonte në Premier League, Conte kishte fituar ligën me Interin, Chelsean dhe Juventusin. Conte ishte edhe drejtues edhe i Përfaqësueses së Italisë.
Real Madridi interesohet për Arnoldin
Skuadra e Real Madridit ka shprehur interesim për shërbimet e mbrojtësit të Liverpoolit, Trent Alexander-Arnold, shkruan të martën BBC.
Mësohet se drejtuesit e Madridit pritet së shpejti ta kontaktojnë Liverpoolin për mbrojtësin anglez.
Reprezentuesi i Anglisë po shihet te Real Madridi si pasardhës ideal i Dani Carvajalit dhe përforcim i madh për krahun e djathtë.
Alexander-Arnold prej vitit 2016 është pjesë e ekipit të parë të Liverpoolit dhe njëri prej futbollistëve më të mirë në pozitën e tij në Premier League. Ai ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2025, ndërsa këtë edicion ka shënuar tri gola dhe ka bërë nëntë asistime në 36 ndeshje të luajtura.
