Portieri brazilian, Bento, ka konfirmuar se zyrtarët e Interit kanë shprehur interesim për shërbimet e tij, por ai ka shtuar se “nerazzurrët” ende nuk kanë bërë ofertë zyrtare.
Bento është në mesin e lojtarëve të pëlqyer nga kampioni i Italisë, shkruan “Football-italia” të enjten.
Bento aktualisht është portier i Athletico Paranaenses në Brazil, ndërsa lajmi është konfirmuar në intervistën e tij të fundit dhënë për “ESPN Brazil”.
Skuadra braziliane për portierin 24-vjeçar kërkon deri në 25 milionë euro.
Ai ka kontratë me Athleticon deri në vitin 2026, kurse ka luajtur në 24 ndeshje në të gjitha garat. Ka pranuar 14 gola ndërsa e ka mbajtur portën e paprekur në 13 ballafaqime. Së fundmi ai ka debutuar edhe te Përfaqësuesja e Brazilit.

Te Reali thonë se e kanë një lojtar më të mirë se Cubarsi
Te skuadra e madhe spanjolle, Real Madrid, kanë thënë të enjten se madrilenët e kanë një lojtar që pritet të bëhet shumë më i mirë se qendërmbrojtësi i Barcelonës, Pau Cubarsi.
Sipas punëtorëve të 14 herë kampionit të Evropës, Joan Martinez do të shfaq edhe më shumë sesa Cubarsi, që aktualisht është anëtar i Barcelonës.
“Sot është e vështirë të thuhet kjo, por ju garantoj se Joan Martinez do të bëhet futbollist më i mirë se Pau Cubarsi”, kanë thënë ata të enjten.
Qendërmbrojtësi 16-vjeçar në verën e vitit të kaluar u transferua nga Levante dhe i ka befasuar të gjithë. Joan Martinez u lind në Valencia, ndërsa shquhet për gjatësinë, shpejtësinë dhe aftësinë e madhe me topin.
Ai në edicionin aktual për skuadrën U19 të Real Madridit, i ka fituar 90 për qind të dueleve.
Ka nisur të krahasohet me Sergio Ramosin, që është idhulli i talentit premtues.
