Futboll

Transferime: Inter Miami synon Di Marian

Angel Di Maria

Sulmuesi Angel Di Maria mund të bashkohet me Lionel Messin përsëri, tani tek Inter Miami. Mësohet se skuadra e ligës MLS po e synon transferimin e sulmuesit argjentinas në fund të këtij edicioni kur edhe i skadon kontrata me Benfican, shkruan të premten BBC.

Di Maria dhe Messi janë miq të afërt. 

Përveç në Argjentinë, kjo dyshe luajti bashkë edhe te Paris Saint Germaini.
36-vjeçari Di Maria ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, ndonëse Benfica është e gatshme t’ia rinovojë kontratën edhe për një edicion. 

Sulmuesi i krahut iu bashkua Benficas në edicionin e kaluar si lojtar i lirë, ndërsa në sezonin aktual ka shënuar 16 gola dhe ka bërë 15 asistime në 46 paraqitje në të gjitha garat.

Argjentinasi po shihet tek Inter Miami si opsion i mirë për repartin e sulmit. 

Krahas Benficas karrierë në Evropë ka bërë edhe te PSG-ja, Manchester Unitedi, Real Madridi e Juventusi.


Chelsea interesohet për Szczesnyn

Skuadra e Chelseat është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të portierit të Juventusit, Wojciech Szczesny.

“Tutto Juve” ka shkruar të premten se drejtuesit e ekipit anglez pritet që së shpejti ta kontaktojnë Juventusin për portierin polak.

Chelsea e dëshiron transferimin e 34-vjeçarit në verë dhe për kartonin e tij është gati të ofrojë deri në dhjetë milionë euro.

Szczesny te Chelsea po shihet si zëvendësim ideal për spanjollin Robert Sanchez, i cili nuk ka treguar paraqitje të mira këtë edicion.

Szczesny ka kontratë me Juventusin deri në vitin tjetër, ndërsa këtë edicion ka regjistruar 32 paraqitje në të gjitha garat.


Xavi dëshiron Silvan në Barcelonë

Mesfushori i Manchester Cityt, Bernardo Silva, është duke u pëlqyer shumë nga trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez.

Xavi është duke insistuar te drejtuesit e Barcelonës për transferimin e Silvas në Spanjë, raporton të premten mediumi spanjoll “Sport”.

Portugezi është në listën e dëshirave te Barcelona për edicionin e ardhshëm. 

Interesim për Silvan së fundmi ka shprehur edhe Bayern Muencheni.

29-vjeçari është pjesë e Cityt nga viti 2017. Ishte transferuar nga Monaco për 50 milionë euro, ndërsa me skuadrën angleze ka kontratë edhe dy vjet të tjerë.

Portugezi është prej lojtarëve kryesorë në skuadrën që drejtohet nga Pep Guardiola.


Unitedi në garë për sulmuesin Olise

Manchester Unitedi është futur në garë për shërbimet e sulmuesit të krahut, Michael Olise, ka bërë të ditur “ESPN” të premten.

Francezi është pjesë e Crystal Palacet dhe pritet të largohet nga ekipi anglez këtë verë pas paraqitjeve të mira që ka treguar në këtë edicion.

Interesim për Olisen kanë shprehur edhe Liverpooli dhe Chelsea.

Në 16 paraqitje këtë edicion në Premier League, 22-vjeçari ka shënuar shtatë gola dhe ka kontribuar me katër asistime.

Crystal Palacet iu bashkua në vitin 2021 nga Readingu për nëntë milionë euro. Kontrata me skuadrën aktuale i skadon në vitin 2027.