Sulmuesi anglez, Raheem Sterling, pritet të largohet nga skuadra e Chelseat. Karrierën pritet ta vazhdojë te gjiganti italian, Juventus. “Daily Mail” ka raportuar të martën se Juventusi është duke punuar për t’i siguruar shërbimet e anglezit.
Sterlingu nuk u përfshi në skuadrën e Chelseat të dielën në disfatën e pësuar nga Manchester City me rezultatin 2:0.
Me Chelsean reprezentuesi i Anglisë ka kontratë deri në qershor të vitit 2027. Chelseat iu bashkua dy vjet më parë nga Manchester City. Ai karrierë ka bërë edhe te Liverpooli. Për Chelsean ka shënuar 19 gola dhe ka kontribuuar me 12 asistime në 81 paraqitje. 29-vjeçari ka shënuar 20 gola në 82 ndeshje për Anglinë.
Arsenali refuzoi 25 milionë euro për Nketiahn
Arsenali e ka refuzuar ofertën e bërë nga Nottingham Foresti për sulmuesin anglez, Eddie Nketiah. Mësohet se oferta të cilën e ka refuzuar Arsenali është 25 milionë euro. Nketiah javë më parë kishte arritur marrëveshje personale me klubin francez, Marseille, por Arsenali nuk e ka pranuar ofertën e klubit francez, për huazimin njëvjeçar me detyrim të blerjes në fund të edicionit.
Anglezi është duke dëshiruar largimin nga skuadra franceze pasi nuk pajtohet me hapësirën e dhënë nga Arsenali. Nketiah vlerësohet 30 milionë euro nga Arsenali.
Ai me Arsenalin ka kontratë deri në verën e vitit 2027, ndërsa për një periudhë luajti edhe për Leeds Unitedin.
Felix i kryen testet mjekësore te Chelsea
Sulmuesi portugez, Joao Felix, i ka përfunduar kontrollimet mjekësore te skuadra e Chelseat. Lajmi është bërë i ditur të martën nga mediumet e ndryshme angleze.
Ai do të nënshkruaj kontratë gjashtëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Portugezi po pëlqehet nga trajneri i ri i Chelseat, Enzo Maresca.
Felix ka luajtur për Chelsean në edicionin 2022/2023 si i huazuar. I huazuar ishte edhe në edicionin e kaluar, kur luajti me fanellën e Barcelonës.
Felix me Atletico Madridin ka kontratë deri në vitin 2029.
Ambrosini: Fofana do ta ndihmojë shumë Milanin
Ish-futbollisti i Milanit, Massimo Ambrosini të martën në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ka thënë se mesfushori francez, Youssouf Fofana do të jetë një ndihmesë e madhe për skuadrën italiane.
“Kur luan në mesfushë me dy lojtarë, mesfushorëve u kërkohet të mbulojnë shumë hapësira dhe Fofana e di se si ta bëjë këtë, ai ka aftësinë për ta bërë këtë. Unë mendoj se ai patjetër mund të ndihmojë Milanin”, ka thënë Ambrosini.
Fofana iu bashkua Milanit nga skuadra franceze Monaco për 20 milionë euro. Ai ka nënshkruar kontratë katërvjeçare.
Bayerni i gatshëm t’i shesë disa futbollistë
Drejtori sportiv i Bayern Muenchenit, Max Eberl ka potencuar se klubi është i gatshëm të shesë disa futbollistë për të ruajtur ekuilibrin financiar.
“Bayerni mund të fitoj të ardhura duke shitur lojtarë. Ne nuk mund t’i mbajmë të gjithë lojtarët tanë më të mirë, edhe nëse njerëzit e duan këtë. Do të ishte mirë, por ne nuk mund të menaxhojmë çështjen e pagave. Prandaj, ne duhet të gjejmë një ekuilibër të shëndetshëm midis të ardhurave dhe shpenzimeve duke ruajtur një skuadër konkurruese për të fituar Ligën e Kampionëve. Ne duhet të punojmë brenda këtij ekuilibri”, ka thënë Eberl të martën për faqen zyrtare të Bayernit.
Liverpooli afër marrëveshjes me portierin gjeorgjian
Skuadra e Liverpoolit është afër arritjes së marrëveshjes për portierin, Giorgi Mamardashvili nga skuadra e Valencias.
Bisedimet ndërmjet dy klubeve janë në fazën përfundimtare që portieri gjeorgjian t’i bashkohet Liverpoolit në edicionin 2025/2026.
Po ashtu bëhet e ditur se braziliani, Alisson Becker do të mbetet portier i parë i skuadrës angleze për edicionin aktual.
Klubi anglez do t’i paguajë 30 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e 23-vjeçarit.
Gjeorgjiani është pjesë e Valencias nga viti 2022. Ai ka kontratë deri në verën e vitit 2027 me skuadrën spanjolle.
Chelsea kërkon 40 milion euro për Lukakun
Chelsea është duke i kërkuar 40 milionë euro për ta liruar sulmuesin belg, Romelu Lukaku. Mësohet se Chelsea e ka refuzuar ofertën e bërë nga Napoli për një huazim njëvjeçar me detyrim blerjeje për 30 milionë euro.
Lukaku më herët e ka shprehur dëshirën që të jetë nën drejtimin e Antonio Contes.
31-vjeçari te Napoli shihet si zëvendësuesi ideal i Victor Osimhenit, që pritet të transferohet te skuadra e Paris Saint-Germainit.
Belgu me Chelsean ka kontratë deri në vitin 2026. Në edicionin 2023/2024, luajti si i huazuar te Roma. Në 47 ndeshje të zhvilluara Lukaku shënoi 21 gola dhe bëri katër asistime.
Barcelona interesohet për Leaon
Barcelona ka shprehur interesim për transferimin e sulmuesit të Milanit, Rafael Leao.
Barcelona do të tentoj që të nënshkruaj me Leaon, por transferimi i tij do të jetë i vështirë pasi Barça është duke u përballur me probleme financiare. Milani është duke i kërkuar 90 milionë euro për kartonin e portugezit. Leao është opsion i mirë për Barcelonën në repartin ofensivë pas dështimit të marrëveshjes me spanjollin, Nico Williams. Skuadra nga Katalunja është e interesuar edhe për Kingsley Comanin dhe Federico Chiesan. Leao me Milanin ka kontratë deri në vitin 2028.
Guardiola i thotë “po” rikthimit të Guendoganit
Trajneri Pep Guardiola e dëshiron kthimin e mesfushorit, Ilkay Guendogan, te skuadra e Manchester Cityt. Bisedimet për kthimin e Guendoganit te City kanë filluar të hënën. Raportohet se Guardiola po e sheh Guendoganin të rëndësishëm për skuadrën e tij në edicionin e ri në Premier League. 33-vjeçari pritet të largohet nga Barcelona vetëm pas një edicioni. Ai ishte transferuar në vitin 2023 nga City si futbollist i lirë. Pjesë e klubit anglez, Guendogani ka qenë për shtatë vite.
33-vjeçari të hënën në mbrëmje njoftoi për tërheqjen e tij nga përfaqësuesja e Gjermanisë në futboll.